E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitohet për të parën herë mozaiku i sinagogës hebraike

është hapur për të parën herë për publikun mozaiku i sinagogës hebraike të Sarandës. Për ta ruajtur nga veprimi i faktorëve atmosferikë dhe dëmtimi, mozaiku ka qenë në çdo stinë të vitit i mbuluar nga shtresa rëre. Këtë verë mozaiku do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë sezonit turistik Sarandë

Mozaiku i sinagogës hebraike në qendër të Sarandës për herë të parë këtë verë qëndron i zbuluar, në dispozicion të vizitorëve të interesuar për këtë sit arkeologjik. Drejtori i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare, Ilir Papa, thotë se ky ka qenë një vendim kolegjial së bashku me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Për ta ruajtur nga veprimi i faktorëve atmosferikë dhe dëmtimi, mozaiku ka qenë në çdo stinë të vitit i mbuluar nga shtresa rëre. Papa thotë se ai zbulohej vetëm kur lindte e nevojshme t’i bëheshin restaurime apo ndërhyrje të tjera për qëllime studimi nga specialistë e pedagogë të Universitetit të Jerusalemit. Ndërsa vizitorëve nuk u mundësoj zbulimi i mozaikut, përveçse u ofrohej katalogu me fotografi të pjesëve më të rëndësishme të tij. Në verën e këtij viti të gjithë vizitorëve u mundësohet edhe shikimi real, përveç atij virtual i sinagogës hebraike të Sarandës. Për ta mbikëqyrur gjendjen fizike të mozaikut janë organizuar shërbime dhe disa herë në ditë punëtorët e drejtorisë rajonale të ngarkuar në këtë sit bëjnë fshirjen e pluhurave dhe larjen e tij, për ta paraqitur në gjendje sa më ta pastër e të lexueshme para vizitorëve të interesuar.
Hapja e mozaikut të sinagogës, sipas drejtorit Papa, është plotësim i kërkesave që kanë pasur axhendat e vizitorëve. Mozaiku këtë verë do të rrijë hapur gjatë gjithë sezonit turistik. Ky mozaik mbart një shandan shtatëkrahësh menorah, ku krahas motiveve gjeometrike dhe floreale, përfshin një etrog (qitro pa shije, por me aromë) së bashku me një shofar (bririn e dashit). Të dyja këto janë simbole të rëndësishme hebraike që shoqërojnë zakonisht menorahun dhe janë përdorur gjatë festave fetare. Simbolika e skenave me mozaik tregon ekzistencën e një sinagoge në një periudhë më të hershme se sa ndërtesa kristiane. Ekziston mendimi se është realizuar një konvertim i ndërtesës së kultit hebraik, në një objekt kulti kristian. Elementi më domethënës në simbolikën hebraike është shandani shtatëkrahësh menorah. Sinagoga e Sarandës është një ndër më të rrallat që gjenden në Ballkan e Mesdhe. Monumenti i përket historisë së hershme të hebrenjve të diasporës, gjatë shekujve V-VI pas Krishtit. Vendosja e këtij monumenti në qendër të qytetit të lashtë (dhe atij modern), pranë portës lindore të kështjellës, përmasat e tij dhe dyshemetë me mozaik, dëshmojnë rolin e rëndësishëm të luajtur nga ky komunitet në jetën e Portit të Sarandës dhe në marrëdhëniet midis qendrave portë të Mesdheut antik. Një ekip i përbërë nga arkeologë e studiues, shqiptarë, izraelit e francezë janë angazhuar të zbulojnë tërësinë e monumentit, funksionin e tij, periudhën e instalimit të komunitetit hebraik dhe kohën e braktisjes dhe të transformimit të tij në kishë kristiane. Nxjerrja në dritë e këtij monumenti kaq të rëndësishëm në historinë e Antikitetit dhe kthimi i tij në një monument të vizitueshëm të Shqipërisë, është i rëndësisë së veçantë. Sinagoga, një monument i rrallë në këtë zonë, që prej shekujsh ka shërbyer si bazilikë, u zbulua në vitin 2004 nga arkeologët shqiptarë dhe izraelitë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›