E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e Policisë, 40 fituesit e testimit me shkrim për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë



Shpallen fituesit e testimit me shkrim për në Shkollën e Policisë për qarqet Shkodër, Kukës e Lezhë. Në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua dje testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, të cilët kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Këtij testimi iu nënshtruan 180 aplikantë nga këto qarqe dhe në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 40 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se kandidatët e shpallur, fitues të testimit me shkrim, do t’i nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen testimit fizik ditën e hënë, më datë 11.05.2009, në orën 08:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Aplikantët duhet të paraqiten në ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. Ndërkohë, Policia e Shtetit kujton se për qarqet Elbasan dhe Korçë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në datën 18.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, sipas burimeve, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al. Për gjithë të interesuarit bëhet e ditur se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit. Pasi të përfundojë konkurrimi me shkrim dhe përzgjedhja e testimit fizik edhe për Elbasanin, Policia e Shtetit do të shpallë fituesit që fitojnë të drejtën të vazhdojnë studimet për në Shkollën e Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›