Rinas; Vrau një oficer policie, ekstradohet Dritan Xhelita
I kërkuar për vrasjen e një oficeri policie dhe plagosjen e shefit të Policisë Kriminale, dy net më parë, në orën 23:30, nga ZQK Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Brukseli/Belgjikë drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Dritan Xhelita, lindur më 12.02.1975 në Vlorë. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 307, datë 19.05.2003, e ka dënuar shtetasin Dritan Xhelita, me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/c 22, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas burimeve, në datën 02.01.1998, shtetasi Dritan Xhelita, gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në banesën e tij në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, ka vrarë me armë zjarri, në bashkëpunim me vëllanë e tij, Ilir Xhelita, punonjësin e policisë, Alket Muça dhe kanë plagosur shefin e Policisë Kriminale, Pirro Ymeri. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Brukselin në datën 10.04.2008, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Dritan Xhelita.