Vera vazhdon të jetë e përgjakshme, dy të vrarë ditën e djeshmeNga TemaShqiptarët po përjetojnë një verë të përgjakshme. Krimi i organizuar po trondit vendin, por jo më pak të dhunshme e të frikshme janë vrasjet që po bëhen për motive të dobëta. Këto
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Vera vazhdon të jetë e përgjakshme, dy të vrarë ditën e djeshmeNga TemaShqiptarët po përjetojnë një verë të përgjakshme. Krimi i organizuar po trondit vendin, por jo më pak të dhunshme e të frikshme janë vrasjet që po bëhen për motive të dobëta. Këto të fundit tregojnë se shoqëria është në krizë e dora e shtetit nuk ndjehet.
Këto, shoqëruar me vdekjet masive në rrugë për shkak të aksidenteve, e kanë kthyer këtë sezon në një luftë të vërtetë.
Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur dy vrasje. Pak pas mesdite një 40 vjeçar u vra me armë zjarri në Shkopet të rrethit të Kurbinit. Alfred Gjeçi është qëlluar me plumba automatiku nga kunati i tij, vëllai i bashkëshortes, Alfred Sefgjini. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi në një lokal të këtij fshati, rreth orës 14:30. Autori është arrestuar pas pak, ndërsa e gjitha ngjarja është zhvilluar në prani të fëmijëve të viktimës.
Alfredi, që mbeti i vrarë, ishte i martuar me motrën e autorit të krimit. Mësohet se çifti kishte probleme të vazhdueshme, dhe siç thonë bashkëfshatarët, ai e keqtrajtonte gruan. Disa herë ata ishin ndare dhe ribashkuar. Kjo mendohet të jetë edhe arsyeja që e ka çuar të vëllanë të vrasë burrin e saj.
Ndërsa duke gdhirë dita e martë, një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur pas një sherri për muzikën e lartë në kioskat e plazhit. Zihni Dushku, 54 vjeç ka vrarë 30 vjeçarin Marenglenc Jahoelezin. Si pasojë e plagëve të rënda ai humbi jetën në Spitalin Ushtarak.
Edhe në këtë rast autori i ngjarjes është arrestuar pak pas ngjarjes. Por mësohet se konflikti mes tyre ka lindur që ditën e diel në plazhin e Hidrovorit Hamallaj tek lokali tip kioske e shtetasit Zihni Dushku duke marrë shkas nga muzika e lartë qe kish vënë autori. Të dy shtetasit kanë nga një kioskë shumë pranë njëri-tjetrit. Atë ditë janë thirrur në polici dhe pasi kanë plotësuar deklaratën për mospërsëritje janë lënë të lirë. Ndërsa kanë rifilluar sherri mbrëmjen e djeshme rreth orës 11:00 në të njëjtin vend. Zihni Dushku ka marrë një armë zjarri automatik dhe ka qëlluar mbi Marenglencin dhe miqtë e tij. I riu ka marrë plagë shumë të rëndë që i morën jetën pak minuta pasi mbërriti në spital.