Nga Shqipëria në Itali për t’u operuar, udhëtimi për të shpëtuar Kejvin
Kejvin është vetëm 10 vjeç dhe jeton në Tiranë me prindërit dhe dy vëllezërit e tij. Pak kohë më parë është zbuluar se ai ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në zemër
Përgatiti: Blerta Mrishaj
“nazionale.it”
Një histori solidariteti po lidh akoma më shumë Serravalle-n, një qytet në Itali me Shqipërinë. Nga Serravalle Pistoiese në Dajç është hapur një “rrugë” me iniciativën e një pensionisti, të quajtur Sandro Giovannetti — si dhe me miratimin e kryetarit të bashkisë së Serravalle-s, Renzo Mochi — për binjakëzimin e këtyre dy njësive administrative. Në fillim ishte një nismë, por me kalimin e kohës po merr përmasa të tjera. Kjo, edhe për shkak të domosdoshmërive që kanë këto dy komunitete kundrejt njëri–tjetrit. Nevoja e radhës është ajo e shërimit të një fëmije shqiptar 10-vjeçar, Kejvin Vasej. Historia na tregohet nga vetë Sandro Giovanetti. “Kejvin është vetëm 10 vjeç dhe aktualisht jeton në Tiranë me prindërit dhe dy vëllezërit e tij. Vetëm pak kohë më parë është zbuluar se ai ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Brenda pak ditësh - falë interesimit të rajonit të Toscano-s — do të mbërrijë në Itali për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale në spitalin pediatrik të kardiologjisë në zonën e Massa-s”. Giovanneti tregon për gazetën e përditshme italiane “Nazionale” se si u njoh me rastin në fjalë. “Nga 500 emigrantë shqiptarë që jetojnë në Serravalle Pistoiese në Itali, shumica prej tyre janë nga Komuna Dajç, prej të cilëve edhe xhaxhallarët e Kejvin, përmes të cilëve është njoftuar mbi gjendjen shëndetësore të nipit të tyre”. Kështu Giovannetti nuk e ka menduar dy herë dhe është nisur për në Shqipëri. “Jam nisur bashkë me një letër të kryetarit të bashkisë të Serravalle-s, Renzo Mochi, në të cilën u shpjegohej autoriteteve shqiptare arsyet e udhëtimit tim në Dajç dhe u kërkohej për të nisur një sezon për dialog dhe marrëdhënie të mira në shenjë të paqes, miqësisë dhe integrimit mes dy popujve”. Rruga e tij ka qenë e vështirë, siç e tregon edhe ai. “Por me bashkëpunimin e shumë njerëzve dhe vullnetin e mirë të tyre, këto vështirësi janë kaluar rrugës”, - tregon Giovanetti. “Në Shqipëri një ndihmë të madhe ka dhënë klinika e Shkodrës “Madonna del Grappa”, ku punon dr. Alketa Plumi dhe murgeshë Motër Enza. Falë edhe bashkëpunimit të rëndësishëm të mjekut Stephen Marguccio, konsullatës sonë, i cili ka ndjekur të gjitha praktikat e nevojshme për udhëtim”. “Në Itali, - thotë Sandro Giovanetti, – lista është e gjatë, por një falënderim i përzemërt i shkon Enrico Rossi-t, Agostino Fragai-t, kryetarit të bashkisë, Renzo Mochi, Don Aiardi, pastorit Ariston Casalguidi, si dhe komisionit të famullisë, të cilët kanë rënë dakord për të marrë përsipër një pjesë të shpenzimeve të shkaktuara deri tani, në mënyrë që projekti të shkojë deri në fund”.
Sandro Giovanetti me profesion ka qenë një zjarrfikës, por aktualisht ai është në pension. Për shumë kënd, - shkruan gazeta italiane, - që e njeh këtë burrë, veprat e tij të solidaritet janë të shumta. Ai vazhdon t’u dhurojë gjithë kohën e tij të lirë të tjerëve, komuniteti e njeh mjaft mirë atë dhe në vazhdimësi e falënderon për kontributin e vazhduar që ai jep.