E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nga Shqipëria nuk vijnë më emigrantë klandestinë”

23/04/2009  Deklarata e ministrit të Brendshëm të Italisë, Roberto Maroni, në një takim

Shkak i këtij frenimi është moslejimi i mjeteve lundruese në hapësirat ujore

ROME- Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, ka deklaruar se nga Shqipëria në drejtim të Italisë nuk ka emigracion ilegal të grupeve klandestine. Deklarata e ministrit u bë në një konferencë me përfaqësuesit e disa vendeve evropiane, në të cilën Maroni foli rreth fenomenit të migracionit ilegal në drejtim të Italisë dhe si rrugëzgjidhje të këtij fenomeni përmendi rastin e Shqipërisë, ku ai me nota pozitive theksoi se nga brigjet e këtij vendi dikur kishte emigracion ilegal masiv. Sipas tij, aktualisht ky emigracion është në kuotat zero. Këtë rast të Shqipërisë e përmendi në diskutimin e tij edhe Drejtori i përgjithshëm i ICPMD –se, Antonio Manganelli, i cili tha se me vendimet që mori Qeveria shqiptare për bllokimin e mjeteve lundruese, është arritur një rezultat pozitiv në parandalimin e këtij fenomeni. Ai tha se nismën e Shqipërisë duhet ta marrin të gjitha vendet, që aktualisht shfaqin shqetësim në këtë drejtim. Konferenca ndër mesdhetare mbi Emigracionin dhe Sigurinë e Kufijve u mbajt dy ditë më parë në kryeqytetin italian Romë. Fillimin e punimeve të kësaj konferenca e hapi Drejtori i Policisë Kufitare dhe Migracionit të Italisë, prefekti Rudolfo Ronconi. Më pas ajo u përshëndet nga drejtori i përgjithshëm i policisë italiane, Antonio Manganelli, si dhe ministri i Brendshëm, Roberto Maroni. Gjatë dy ditëve të konferencës folën delegatë nga shumë vende dhe nga diskutimet e tyre u përvijuan drejtimet e flukseve ilegale emigratore nga vendet e Azisë dhe Afrikës në drejtim të Evropës. Sipas tyre, drejtimet me problematike janë ato nga Pakistani, Irani, Turqia, Kosova, Serbia, Libia e të tjera. Përfaqësuesi grek, vuri në dukje se nga Turqia shkonin drejt vendit të tij afganë, kinezë, irakianë, pakistanezë, indianë, nepalezë, etj. Ai theksoi se vazhdon emigracioni ilegal nga Shqipëria, vetëm shqiptarë dhe jo shtetas të tjerë, por me këtë vend kemi marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi lidhur sidomos me kontrollin e alternuar të kufirit të përbashkët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›