E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do 4-fishojmë vendet e punës dhe do të dyfishojmë pagat”

23/04/2009  Kryesocialisti Rama në Fier. Shpalos premtimet elektorale

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama shpalosi programin e ri qeverisës para banorëve të fshatit Daullas në Fier. I shoqëruar nga disa deputetë socialistë, Rama është shprehur se ky program është i bazuar në 7 pika kryesore. Gjatë fjalës së tij ai premtoi se pas zgjedhjeve të 28 qershorit qeveria e majtë do të ulë ndjeshëm nivelin e varfërisë, duke 4-fishuar vendet e reja të punës dhe dyfishimin e pagave.“Për gjithë shqiptarët dhe shqiptaret si ju në të gjithë Shqipërinë ne nuk kemi hartuar një listë të bukur dhe të plotë emërore për të marrë votat, por një program konkret, që vë qeverinë në punë qysh të nesërmen e fitores. Era e ndryshimeve do të ndihet kudo”, - vuri në dukje Rama lidhur me këtë çështje. Gjithashtu në shpalosjen e programit të ri qeverisës kryetari Rama i kushtoi rëndësi të veçantë arsimit, duke premtuar mundësi të barabarta për shkollim. “Asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra. Asnjë zonë e vendit nuk do të mbetet pa shkollë dhe mësues. Kjo është një politikë kundër dasisë dhe sherreve në emër të së shkuarës”, - u shpreh Rama. Njëkohësisht Rama u ndal dhe te një tjetër problem shqetësuar për shoqërinë shqiptare, e konkretisht te sektori i shëndetësisë. “Në shëndetësi do të ketë një transformim rrënjësor. Vizitat shëndetësore për gratë shtatzëna do të jenë falas dhe kontributet shëndetësore të tyre do të mbulohen nga shteti”, - theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›