Nga akulli, dy vëllezër në greminë
PUKE/ KUKES
Akulli mbi rrugë çon në greminë makinën e dy vë-llezërve. Agron dhe Pajtim Lleshi, 18 dhe 21 vjeç nga Hasi i Kukësit po udhëtonin drejt qytetit të tyre kur u aksidentuan rëndë.Ata ndodheshin mbi një fuoristradë me targa të huaja kur rreth orës 14:30 përfunduan të plagosur rëndë në një greminë 50 metra të thellë. Sipas burimeve të policisë, aksidenti u shënua në vendin e njohur si Gomsiqe, në aksin nacional Shkodër-Pukë. Kthesat e shumta dhe akulli i krijuar në rrugë si pasojë e reshjeve të dëborës javën e kaluar provokuan daljen nga rruga të mjetit. Makina është rrokullisur disa herë, duke përfunduar në thellësi. Dëshmitarët e kësaj skene lajmëruan me urgjencë policinë e zonës, e cila është angazhuar për të nxjerrë nga gremina dy të lënduarit dhe mjetin e tyre. Vetëm atëherë është mësuar fati i vëllezërve Lleshi. Ata ishin në gjendje të rëndë, me plagë të shumta si pasojë e plagosjes. Fillimisht janë dërguar me shpejtësi për në spitalin rajonal të Shkodrës ku dhe u është dhënë edhe ndihma e parë. Por meqenëse gjendja shëndetësore e dy vëllezërve ka qenë kritike, atëherë mjekët e këtij spitali kanë kërkuar që vëllezërit Lleshi të nisen urgjent në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës për një trajtim me të specializuar. Burime nga grupi i hetimit pohojnë se dyshohet që një nga shkaqet e aksidentit ka qenë shtresa e akullit e krijuar në anë të rrugës, pasi nisur edhe nga tereni malor ajo nuk kishte arritur që të shkrihej ende. Koha e rënduar, e cila dje mbuloi të gjithë zonën verilindore të vendit me mjegull të dendur, u bë shkak dhe për një tjetër aksident në rrugën Kukës-Bicaj. Një furgon i kësaj linje u përplas me një kamionçinë të ndërmarrjes së rrugëve pasditen e së premtes në fshatin Gostil, 6 km larg qytetit të Kukësit, tek kthesa e aeroportit. Policia rrugore njoftoi se nga ky aksident nuk pati të rrezikuar për jetën, por vetëm pasagjerë të lënduar lehtë. Sipas ekspertëve, shkak mund të ketë qenë terreni i rrëshqitshëm dhe mjegulla, e cila nuk u shpërnda deri në orët e vona të ditës. Krijimi i mjegullës në të gjithë zonën ka krijuar probleme dhe për kalimtarët, ndërsa ka shkaktuar një ulje të mëtejshme të temperaturave në 0 gradë. Nga shërbimi sinoptik i Kukësit u njoftua se shtresa e mjegullës ishte deri në lartësitë 800 m mbi nivelin e detit. Vështirësitë më të mëdha janë shfaqur në qarkullimin rrugor të automjeteve, pasi rrezja e shikimit nuk ka qenë më shumë se 10 metra. Banorët e Kukësit kujtuan dje situatën e dy viteve më parë, kur qyteti regjistroi plot 45 ditë radhazi me mjegull. Ndërkohë të bllokuara nga bora vazhdojnë të mbeten komunat e Arnit, Zapodit në Kukës dhe Lekbibaj në Tropojë. r.d/j.h