E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau e terrorizoi fshatin, lihet në burg Reshit Adri

 

KORÇE - Gjykata e Korçës la dje në burg Reshit Adrin, i cili vrau me armë zjarr bashkëfshatarin e tij në Podgorie dhe plagosi edhe mbesën. Pas shqyrtimit të fakteve e provave të grumbulluara deri tani nga policia dhe prokuroria dhe dëgjimit të avokatit mbrojtës të Adrit, trupi gjykues vendosi mbajtjen në arrest me burg deri në përfundimin e hetimeve dhe gjykimit të të pandehurit. Të hënën e kaluar, 45-vjeçari vrau Lulëzim Laze dhe plagosi mbesën e tij Shpresa Çoçka. Ngjarja alarmoi strukturat e rendit, për shkak se vrasësi qëllonte me armë kuturu nëpër fshat. Ai terrorizoi të gjithë banorët, ndërsa për pak i shpëtuan plumbave edhe gruaja dhe dy fëmijët e tij. RENEA që mbërriti nga Tirana iu desh të rrethojë zonë dhe të ngushtojë rrethin për gjithë natën, deri në arrestimin e tij të nesërmen e ngjarjes. Në seancën e djeshme, avokati i të akuzuarit për vrasje dhe plagosje me dashje, Sotiraq Çeta, i kërkoi gjykatës ekzaminimin psikik të Reshit Adrit. Sipas tij, prej kohës kur të pandehurit iu vra djali dhe deri në ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Podgorie, ai kishte shfaqur stres dhe shqetësime të dukshme. "Prej më shumë se dy muajsh i pandehuri është mjekuar për çrregullime mendore", mësohet se është shprehur Çeta. Adri para se të hynte në sallën e gjyqit u është drejtuar gazetarëve me sugjerimin se do të ishte në të mirë të tyre të kishin qenë të pranishëm edhe në momentet e vrasjes së djalit të tij në repartin e Gardës së Republikës. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›