Parfumet kontrabandë në Tiranë, vlera shkon në 100 mijë euro
TIRANE - Vlera e parfumeve dhe mallrave të industrisë kozmetike kontrabandë, të bllokuara tri ditë më parë në Tiranë, kap vlerën e 100 mijë eurove. Ndërkaq arrestimi i dy personave të përfshirë në kontrabandë është pasuar gjatë ditës së djeshme me bllokimin e dy magazinave, një dyqani dhe një vile në rrugën "5 Maji" në kryeqytet. Në total, oficerët e antikrimit ekonomik kanë bllokuar në total një sasi prej 1200 kolish me mallra të ndryshëm, kryesisht parfume, shampo, letra dhe peceta higjienike, që mbanin vulën e firmave të ndryshme të njohura. I gjithë malli kishte origjinën nga Kina, ku edhe aktualisht ndodhej djali i njërit prej të arrestuarve. Fuat Laraku, 54 vjeç dhe Jetmir Muça 27 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan mbrëmjen e së enjtes me akuzën e kontrabandimit të mallrave të tjerë. Personat, sipas burimeve, kishin më tepër se një muaj që ndiqeshin nga agjentët dhe oficerët e policisë për veprimet e tyre. Dy netë më parë, agjentët e policisë kanë bllokuar një kamion me mallra kozmetike që kishte mbërritur nga Kina për llogari të Fuat Larakut dhe se ishte nisur në drejtim të Shqipërisë nga djali i tij, që aktualisht ndodhet në Kinë. Nga hetimi i kryer mbi dokumentacionin, policia ka vërejtur se një pjesë e mirë e shkresave mungonin. Nga verifikimet e kryera dyshohet se malli kalohej në doganë pa u zhdoganuar dhe ai deklarohej në gjysmën e sasisë reale që kishte. Një veprim i tillë, sipas burimeve të policisë, bëhej në bashkëpunim me këta të fundit duke bërë të mundur edhe futjen e sasisë së mësipërme të mallit kontrabande. Oficerët e antikrimit ekonomik të policisë pohuan se tashëm kishin marrë në konsideratë, për të zbuluar edhe mënyrën se si malli ishte futur në vend pa u zhdoganuar. Burimet kanë pohuar se malli është futur nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, ku është "plumbosur" nga doganierët lokalë. Hetuesit dyshojnë se manipulimi është kryer në doganën e Tiranës, ku edhe duhej të kryheshin veprimet dhe pagesat përkatëse. d.b