Nga epiqendra e imoralitetit dhe injorancës

KRIMI
NR.14
Shoqata
e peshkatarëve dhe shoqata e deputetëve të Parlamentit të Kosovës
Nga Behxhet Shala*
Peshkatarët merren me peshkim, qoftë si hobi ,
qoftë për të siguruar të mira materiale për veten dhe familjet e tyre. Disa
prej tyre kanë dëshirë të peshkojnë të vetmuar ndërsa të tjerët duan të
peshkojnë në grup, për shkak të atmosferës, në radhë të parë! Gjatë peshkimit
ata e demonstrojnë një humanizëm, sidomos kur gjinden para kamerave televizive
duke i lëshuar në ujë peshqit e rënë në grepin e tyre. Janë qejfli të mëdhenj.
Një peshkatar i ndërgjegjshëm dhe profesionist asnjëhere nuk do të peshkoi në
periudhën kur është i ndaluar peshkimi. Kanë dëshirë ta rrisin prenë e
peshkuar, si nga pesha ashtu edhe nga gjatësia! Pas të reshurave të mëdha dhe
kur uji bëhet i turbullt krijohen rrethana shumë të favorshme të gjuajnë peshq
të mëdhenj. Këto kushte ua krijon natyra e jo ata vet! Për të qenë më efikas
dhe për të gëzuar disa privilegje ata organizohen në shoqata e cila ua mbrojnë
interesat e tyre, në rast se ato rrezikohen! Definitivisht janë njerëz gazmorë
dhe shtensionues të situatave.
Edhe deputetët e Parlamentit të Kosovës mund
të llogariten peshkatarë! Ata notojnë dhe peshkojnë shumë mirë në ujëra të
turbullta. Situatat e turbullta i krijojnë vet, nuk kërkojnë ndihmë nga natyra!
Bëhen qejfli të mëdhenj sidomos kur i shpenzojnë paratë e popullit! Humanizmi
ka dimension dhe kuptim abstrakt për ta, e përdorin shpesh si shprehje por nuk
e dinë çka është ai! Janë shakaxhinj të mëdhenj, tallen pa kufi me ata që kanë
votuar për ta! Nëse disa peshkatarë i zmadhojnë gjërat për të krijuar
atmosferë, këta të dytët e bëjnë këtë për ta maskuar injorancën e tyre!
Edhe këta janë të organizuar në shoqatën e tyre të cilën e quajnë
Parlament ose shqip, Kuvend. Aty janë për të punuar dhe përfaqësuar popullin
por e bëjnë krejt të kundërtën, e përfaqësojnë veten e tyre, interesin e tyre
dhe familjeve të tyre ku hyjnë edhe interesat e klaneve të ndryshme
parapolitike, politike, biznesore dhe mafioze. Për ta idealizmi dhe ndenja e
solidaritetit me 70% të qytetarëve të Kosovës ka vdekur sepse janë identifikuar
si keqbërës të pangopshëm. Marrin kudo që kanë mundësi dhe krijojnë mundësi të
paskajshme për ti fryrë xhirollogaritë e tyre duke i zbrazur xhirollogaritë e
votuesve! E bënë një luftë titanike dhe heroike për ti rritur pagat e tyre dhe
më në fund ia arritën qëllimit. I rritën pagat sa deshën vet dhe pa u skuqur
fare! Përfaqësuesit e popullit u shndërruan në grykës të pashembullt, pa
asnjë përjashtim! Në sy të popullit, për të krijuar përshtypje se punojnë, janë
të drejtë, i luftojnë dukuritë negative dhe të kundërligjshme e shajnë
njëri-tjetrin, thuaja veprojnë si korba duke ia nxjerrë sytë njëri tjetrit
ndërkaq në realitet, kur paraqitet nevoja ti mbushin xhepat arrijnë konsensus
të 100%, nuk ka më pozitë apo opozitë, bëhen binjakët siamezë! Për ti dhënë
maje këtij imoraliteti dhe paturpësie, deputetët më përtacë në këtë pjesë të
Evropës e pse mos të them edhe më të padijshmit, e qerasin veten edhe me
nga një rrogë shtesë, rroga e 13-të! Dhe kjo kalon në heshtje,
thuaja pa asnjë reagim! Ish idealistët, luftëtarët për të drejtat e njeriut,
ish luftëtarët e lirisë, ata që angazhoheshin për drejtësi sociale u shndërruan
në brejtës të parasë publike me rrezik të madh të bëhen kusarë dhe cuba
modernë! Tash u mbetet që për fillim të vitit ta marrin edhe rrogën e 14-të ,
si paradhënie për punën e madhe që do ta bëjnë dhe e cila do të jetë një copy
paste e punës së tyre gjatë vitit 2009! Tash duhet një datë megjithatë e
shënuar që do të merrej si shkas për rrogën e 14-të. Unë i propozoj dy data. E
para mund të jetë ditëlindja e kryeparlamentarit, si përfaqësues i shumicës dhe
e dyta, pasi domosdoshmërisht duhet të respektohet Ahtisari, dita e synetisë së
Haxhi Zylfi Merxhës, si përfaqësuesit më reprezantiv të pakicave! Shpresoj se
as Piter Fejt nuk do ta kundërshtonte këtë propozim! E ndava një deputet për të
cilin shpresova se i kishte mbetur një qelizë prej idealisti dhe një gram
njerzillëku duke e pyetur se asnjëhere nuk do të besoja se edhe ai do të bëhet
anëtar i Çetës së Profetëve ! E dini cila ishte përgjigja e tij?!
Përgjigja ishte: Trimi i mirë, me shokë shumë!
(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i
KMDLNJ së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale