E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nga ferri në parajsë", Maradona është rikthyer

Një gazetë skoceze, të mërkurën e 19 nëntorit, ditën e Skoci-Argjentinë, vinte në faqe të parë të saj një foto të Maradonës, në kohën kur ishte i shëndoshë, i sëmurë dhe me pamjen e një njeriu të lodhur nga përdorimi i ilaçeve dhe drogës. Ai ishte parë nga afër 36 orë para ndeshjes, duke hyrë me kokën lart në fushën e "Celtic Park", të bënte disa xhonglime me top bashkë me të pamungueshmen goditje me thembër dhe të drejtonte stërvitjen e parë të asaj që ai e përkufizon si "jeta ime e tretë". Ky është kontrasti më i ashpër, që i hap zemrën emocionit: për më shumë, nga dita e emërimit të tij si trajner i Argjentinës deri në atë të debutimit, të gjithë kanë preferuar të përqendrohen në të kaluarën e tij më brilante, me gjestet që kanë çmendur botën e tifozët, ndërsa ai konfirmonte se ishte futbollisti më i fortë i të gjitha kohërave. Por versioni i tij i fundit ishte edhe më dramatiku, ai i një njeriu që kishte humbur kontrollin, ai i një individi tmerrësisht afër vetshkatërrimit. Ky është emocioni, për lavdinë e një kampioni të paarritshëm, në të mirë dhe në të keq, që ka dashur të jetojë edhe si njeri, të përmbysë gjithçka dhe të demonstrojë se është numri një në gjithçka. Vetëm atij mund t‘i ndodhte dhe mbi këtë nuk ka asnjë dyshim: vetëm ai mund të mundte të gjithë dhe gjithçka në fushë. Dhe e ka bërë menjëherë, e ka bërë sërish, duke e vënë në krye të grupit më të talentuar, që ofron futbolli aktual, por që deri më sot nuk është menaxhuar si duhet, duke përdorur trurin, zemrën dhe jo më të majtën. Të gjitha me një qëllim për të bërë të njihet se kush është lideri mes të gjithëve dhe në gjithçka. Në fund ka gëzuar si i çmendur, me atë grusht të ngritur lart për të festuar një sukses domethënës dhe ngriti dorën për t‘i përshëndetur. I përqafoi të gjithë ata lojtarë që e mbështetën në këtë ndeshje dhe që ishin të entuziazmuar që shijuan drejtimin nga idhulli i tyre, profeti i tyre. I ka falënderuar ata djem, të cilëve u është drejtuar me sinqeritet, vetëm për t‘u thënë atyre, thjesht, direkt, njerëzisht, se i kishte zili, sepse ai vetë, atë mbrëmje do të pranonte të luante edhe si portier, thjesht dhe vetëm të luante. Një jetë për topin, që tamam si një top rrezikoi të rrokullisej tutje, por që tashmë është rikthyer sërish në kërkim të triumfit në fushë, sepse atje duhet të qëndrojë Diego dhe ndoshta tani do të bëjë llogaritë se atje, vetëm atje, mund të jetë i pathyeshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›