Real-Shuster, vërtet pranë divorcit
Vazhdon momenti i keq i Realit të Madridit: në një nga dy ndeshjet e luajtura të shtunën në mbrëmje për kampionatin spanjoll, madrilenët janë mundur me rezultatin 3-1 në shtëpinë e Gedafes. Kjo humbje i ka bërë ata që të shikojnë se si rritet në 6 pikë distanca që do të kenë me Barcelonën, kryesuesen e cila mori po të shtunën një fitore bindëse 3-0 në fushën e Seviljes. Pas kësaj humbjeje kanë filluar të qarkullojnë gjithnjë edhe më shumë zërat për një shkarkim të mundshëm të trajnerit gjerman Bernd Shuster, i konsideruar tashmë si fajtori numër një për këtë seri rezultatesh negative radhazi, të cilat janë shoqëruar gjithashtu me një numër të madh dëmtimesh të futbollistëve, që ka goditur grupin e skuadrës së Realit të Madridit. Menjëherë pas kthimit nga ndeshja me Gedafen, Realit të Madridit i duhet të numërojë në total plot 10 lojtarë të dëmtuar. Madrilenët kanë humbur edhe tre të tjerë, për shkak të dëmtimeve gjatë ndeshjes së luajtur në stadiumin "Coliseum Alfonso Perez": Shneijder e Pepe vuajnë nga probleme muskulore, ndërsa Miguel Torres ka marrë një goditje të rëndë në shpinë. Për dy të parët rikuperimi duket i vështirë në prag të ndeshjes së radhës ndaj Seviljes. Për zëvendësuesin e mundshëm gjerman kanë dalë në pah emra të ndryshëm, duke filluar që nga Juande Ramos, i shkarkuar pak kohë më parë nga skuadra angleze e Totenhem Hotspur, e deri te një ish-lojtar, protagonist i shumë sukseseve në radhët e Realit të Madridit si Michel. Po në këtë listë janë edhe dy emra të kandidatëve italianë. I pari, i cili etiketohet dhe si një nga dy favoritët, është emri i Roberto Mançinit, i cili i pëlqen shumë drejtorit sportiv të madrilenëve, Predrag Mijatoviç, dhe që mund të pranonte të zhvendosej në Spanjë menjëherë pas prishjes së kontratës, nga e cila përfiton ende, edhe pse është larguar që në verë nga drejtimi i Interit. Emri i dytë italian, i cili sponsorizohet mbi të gjitha nga persona shumë pranë presidentit të madrilenëve, Ramon Kalderon, është ai i trajnerit aktual të Milanit, Karlo Ançeloti: por në këtë rast bëhet fjalë për një zgjedhje praktikisht vetëm në fund të sezonit dhe që do të duhet të bëjnë llogarinë me faktin se, tekniku në fjalë është nën kontratë me skuadrën kuqezi, kontratë e cila skadon vetëm në vitin 2010. Nëse Karlo Ançeloti do të vendoste të linte pankinën e Milanit, pasi të ketë rënë dakord me drejtuesit e rrugës "Turati", "Djalli" mund ta zëvendësojë sipas traditës me një ish-lojtar: në radhë të parë janë Frenk Rajkard dhe Roberto Donadoni. Dhe në një kohë që Reali përpëlitet në vazhdën e një krize për të mos u nënvlerësuar, rivalja e tyre Barcelona ecën me hapa bindës në drejtim të titullit kampion. Jo vetëm që kanë mundur Seviljen në shtëpi me rezultatin 3-0, por këtë e ka bërë më të bukur fakti se gjithçka është arritur falë një loje spektakolare. Pa dyshim janë të shumtë specialistët e futbollit botëror, të cilët kanë filluar ta etiketojnë tashmë si skuadra më e fortë dhe më spektakolare e Evropës, edhe pse duhet theksuar se deri tani është ndeshur vetëm me skuadra të nivelit të dytë.