E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga i buron Ramës gjithë ky konflikt artificial?

09-06-2011 / Nga Luan Myftiu

“Kush nuk di të komandojë, duhet të bindet” – Shekspir

U lodhën njerëzit nga konfliktet artificiale të Ramës. Të rraskapitur nga lufta mizore e klasave, kërkojnë  qetësí e mirëkuptim. Të respektojnë atë që mendon ndryshe. Të pranojnë konkurrencën demokratike si atribut të lirisë. Të shijojnë gëzimin e faljes, të tolerancës, të dashurísë njerëzore. Të pranojnë si pjesë të sistemit humbjet e garave. Të ndihen pjesëtarë të harmonisë sociale. T’u gëzohen aftësíve për të realizuar qënien e tyre. Të ndihen sovranë të të ardhmes së vet. T’u thonë “sus” atyre që vënë në krye. Të kërkojnë t’u ofrohen shërbime me dinjitet. Të ndihen të barabartë përpara ligjit. Të mos përdoren si mercenarë nga shërbestarët e zgjedhur. T’u gëzohen vlerave të tyre morale e intelektuale. T’i lumturohen vetëpërmbajtjes, që detyron ligji. Të përtërihen duke mos lejuar autoritarizma. Të çlirohen nga prangat e pasigurisë për të nesërmen. T’u qetësohen shpirtrat duke dëgjuar pendesën e mëkatarëve të djeshëm. Të mos i tremben egoizmit të partiakëve. Të mos turbullohen nga klithma sharlatanësh, të etur për pushtet të pamerituar.
Se, nuk pranon më elektorati të drejtë të më të fortit, a t’i diktohet “një rruga e vetme”; të detyrohet të hidhet mbi koka policësh; të mos përfillë ligjin; t’u kundërvihet institucioneve; të braktiset parlamenti; të ligjërohet politika e rrugës; të trajtohen si sejmenë taborë deputetësh; të bllokohen reforma madhore; të poshtërohet kundërshtari politik; të prishet  imazhi i vendit; të pengohet integrimi europian dhe të “tremben” partnerët me rebelime për “kriza” artificiale. Jo! As vetë elektorati i majtë nuk i do kërcënimet arrogante të Edvin anarkistit. Të këtij “rebeli”, që deshi ta bënte më të rafinuar terrorin komunist, ngaqë e bezdisnin bandat injorante enveriste. Nuk do e majta e vërtetë barazí të mjerimit; privilegje për kriminelë e hajdutë. Se, nuk mund të dojë një PS e kultivuar kulte individi; stalinizma “moderne” mafiozësh të paskrupullt. Nuk mund të pajtohen intelektualët e saj me psikologjinë e rreshtit, të komandës, të kërcënimit, të përjashtimit, të bojkotit permanent dhe të bllokimit të çdo reforme, që dëmton Shqipërínë. Por, fatkeqësisht, Rama nuk është drejtues i këtyre forcave emancipuese; nuk përfaqëson ai solidaritetin qytetar demokratik, as mbrojtjen e vlerave të trashëguara në shekuj, as nevojën e rishikimit të Historísë. Madje, as distancimin nga e kaluara komuniste. Jo! Rama është “antikomunisti” hipokrit, avokati i mëkatarëve të papenduar të diktaturës; është “parzmorja” e krimit të miliarderëve hajdutë; Ali Babai i çetës së të korruptuarve, të cilët, pasi i bleu me sheshe ndërtimi, u katandis vetë në një “sovajkë” e interesave të tyre meskine dhe antikombëtare. Rama është përfaqësues i kriminelëve të papenduar; vazhdim i shpifjes komuniste, që shkoi në plumb pjesën më të ndershme e më atdhetare të Shqipërísë. Rama është i kapuri prej xhelatëve, që janë penduar pse lanë gjallë njerëz, që kërkojnë sot demokrací të vërtetë. Është shërbëtori i arrogancës së plagosur komuniste, ankthi i lakmisë së saj për pushtet të përjetshëm. Rama është kundër hapjes së Shqipërísë, kundër integrimit të saj të shpejtë në Europë. Ai u trembet telasheve të do t’u sillte ky integrim mëkatarëve të djeshëm e kusarëve të sotëm, që e kanë shndërruar në çiflig pjesën më të vyer të Shqipërísë. Prandaj Rama nuk pajtohet me frymën e debatit konstruktiv, me konsensusin me forcat demokratike. Prandaj nuk do ai dialog e mirëkuptim me ata që i quan tradhtarë, porsa i zgjedh populli dhe porsa shpallen fitimtarë zgjedhjesh. Harbutin e fyen fisnikëría. Nuk do Rama tolerancë ndaj përfaqësuesve të ligjit, respektim të institucioneve vendimmarrëse. Nuk do ai sublimim të vullnetit të sovranit. Rama është vetë një skllav i atij kompleksi të frikshëm inferioriteti, të cilit komunizmi i dha atributet e Perëndisë. Është “liberali” i cinizmit të xhelatëve të papenduar, që janë edukuar të sundojnë pa kundërshtarë. Rama është “anarkisti” modern i neokomunizmit, që ushqen nostalgji për kohën, kur krimi shtetëror bënte shiun dhe diellin.    
Prandaj është e natyrshme që Rama të jetë mishërim i konfliktit permanent; i bojkotit të pandalshëm, i mosnjohjes së asnjë rezultati zgjedhor të çertifikuar. Jo më kot Dostojevski ka profetizuar: “Kush e provoi pushtetin mbi atë që në bazë të ligjit të Krishtit është vëllai i tij; kush e provoi këtë pushtet dhe u deh nga gjaku, atij iu denatyruan ndjenjat dhe iu bënë normale shfaqjet më anormale!”. Ndoshta prandaj Rama i jep gjithmonë të drejtë vetes. Prandaj i duken të gjithë kundërshtarët horra dhe kusarë. Prandaj nuk njeh vendime gjykatash, që nuk i japin atij mandat të padrejtë. Prandaj i ankohet Qiellit dhe Tokës, kërcënon mazhorancën; akuzon KQZ-në për “kanibalizëm zgjedhor”, nëpërkëmbëse të vullnetit të qytetarëve, pse çmon çdo votë të tyre. Shkurt, Rama u thotë shqiptarëve që, nëse nuk ngrihen t’i japin atij pushtet të pamerituar, do t’i bëjë të mos u qeshë kurrë buza. 
Por tërë këtë konfliktualitet Rama nuk e ka nga qejfi; teka të një të llastuari të diktaturës.  Si “avokat” kusarësh, detyrohet ta shtyjë integrimin deri sa të harrohen bëmat e gjëmat e banditëve miliarderë. Si i paaftë të drejtojë, mbijeton duke kërcënuar. Si enverist i kamufluar, e çmon konfliktin si forcë lëvizëse, që duhet ashpërsuar vazhdimisht. Si mëkatar, që justifikon xhelatët, nuk do në Shqipërí ligjin dhe Drejtësínë europiane. Ky Haxhí Qamil i kohës së internetit synon të ngrejë një diktaturë të maskuar me slogane idealesh demokratíke ! Por zgjedhjet e 8 Majit treguan se populli i ka zbuluar synimet mashtruese edhe të këtij neodiktatori që shtiret si “liberator” i thekur, duke kërcënuar edhe me “frikëra imagjinare” institucionet prestigjioze të zgjedhjeve!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›