E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga kurbani i Shabës te “Kurbani” i Ramës

Të gjithë kemi parë e dëgjuar javën që shkoi se me çfarë lehtësie “Kurba ni” i Ramës mbuloi dhe nxori jashtë loje kurbanin e radhës të politikës, Shaban Meminë e Aluiznit shefin e agjencisë zyrtare të legalizimeve.
Ndërsa kurbani i Shabës kaloi në heshtje, mesa duket nuk ka për të mbetur katund e mal e zgëq e kanal televiziv ku të mos nëmet e mallkohet, ende pa dalë, “Kurbani” i Ramës. Nuk është as i pari dhe as i fundit rast kur faji u hidhet librave, kur në vend të ujkut tregohen gjurmët, në vend të gjurmëve rrëfehen përralla…Dorëheqja (apo shkarkimi?) i Shaban Memisë, që sipas disa zërave të afërt me qeverinë u justifikua me punën e tij të dobët legalizuese përgjatë shtatë viteve, duke dëmtuar, me gjasë, elektoralisht PD-në, jo vetëm për zgjedhjet që shkuan, por rrezik, edhe për zgjedhjet e ardhme…Vini re se si po nëpër dhembet nëpërmjet kronikave televizive një çudi-habi e radhës: Puna e keqe dhe e dobët në Aluizn “i paska kushtuar elektoralisht PD-së”, duke bërë të pakënaqur jo pak zgjedhës për këtë parti, të cilët, për këtë shkak rrezik të mos votojnë në vitin 2013 për Berishën…Ja pra çfarë na ka paska bërë vaki: fajtori u gjet, më në fund: Ky qenka Shaban Memia!
Por arsyen e mosarsyes Shaba “dha dorëheqje”, ndërsa ne si qytetarë ende nuk e dimë pse e qysh e tek…E sigurt është se ish-shefi i Aluiznit nuk ka për të dalë para publikut të japë shpjegime përse u hoq, apo përse u dorëhoq dhe cilat janë shkaqet që ka dështuar legalizimi…Zhurma mediatike bëhet për “Kurbanin” pikërisht për të larguar vëmendjen nga problemet e dështimet që kanë ndodhur në Aluizn, afërmendsh jo dhe aq për faj të Shabanit. Por krerët e lartë e dinë fort mirë: Nëse do të jepen shpjegime për dorëheqjen (apo për shkarkimin?) e tij, do të dalë sikur politika qeverisëse me legalizim-moslegalizimet, bashkë me kthim-kompensimin ose jo të pronave për pronarët e ligjshëm, ka dështuar jo për faj të tij. Sepse tanimë nuk dyshon më njeri që kjo politikë e rrokopujë dhe në thelb klienteliste i ka kushtuar tepër rëndë shoqërisë, ekonomisë, shkatërrimit të mjedisit e të pasurisë publike, mijëra qytetarëve, duke shkaktuar mbi tetë mijë të vrarë (shifrat e vrasjeve për gjakmarrje, për aksidente, për vetëvrasje nga depresioni, për hakmarrje etj…, janë të tjera nga ato për çështje të pronësisë!) në njëzet vite demokraci, anekënd Shqipërisë. Masakra pra ka kaluar nga mjediset urbane, në jetët e marrëdhëniet njerëzore!
Gjithsesi, për procesin e dështuar e të pranuar të legalizimeve, i cili, nga një çështje sociale, tepër e koklavitur dhe dramatike, po transformohet përditë në një shfaqje tragjike kombëtare, dikush nesër do të duhet të japë llogari! Sepse kjo lloj “politike legalizimesh”, bashkë me atë të privatizimeve, e ka shkërbërë e tjetërsuar shoqërinë shqiptare jo vetëm materialisht, po edhe moralisht gjë që “faturën” e rrënimit e të mosbesimit të ndërsjellë e ka bërë jo vetëm të pashlyeshme, por, rrezik, edhe të pakorrigjueshme. Sepse deri tani procesi i legalizim-moslegalizimeve ka vënë kundër pronarët e ligjshëm me pronarët e rinj, pronën publike me pronën private, shtesat pa leje me pronarët “me ë” të apartamenteve, ndërtuesit e ndershëm me ndërtuesit e partisë, informalitetin me taksat, djersën me hosanatë, nepotizmin me meritokracinë, lepepeqërinë me dinjitetin…Të gjitha këto, tekefundit, do të kalojnë nesër, me apo pa Shabën shef, nëpër “laboratorët” e korridoret e zyrave të Aluiznit, deri ditën kur edhe pasardhësi i Memisë të bëhet kurban, një kurban që do të hakatet, nëpërmjet mediave, të na sugjestionojë sikur, medemek, shefat e mëdhenj nuk kanë asnjë faj, sepse fajin përherë e kanë Shabat, qofshin këta edhe tropojan!
Mënyrë e metodë kjo aq e përdoruar nga ish-Partia e Punës: Enveri nuk e dinte ç’bëhej me tufëzimin, poshtë, në bazë!
***
Ka jo pak ndër ne që kësaj i thonë zëplotë: transparencë, pavarësisht se me këtë lloj “transparence”, asnjëherë nuk shkohet te plaga, as te ai që e ka shkaktuar plagën, por te ata që ankohen dhe vënë gishtin mbi plagë. Kësisoj zëvendësohet, si pa të keq, por qëllimisht, kurbani i Shabës, për qëllimet e mësipërme, me “Kurbanin” e Ramës, ashtu sikurse fajin për mohimin e statusit nuk e ka qeveria, por opozita! Një truk mëse i rëndomtë të cilit Berisha, për njëzet vjet, ia ka parë hajrin. Si ish-kirurg, ai vepron me ne si në shoqëritë primitive kur, meqë nuk ishte shpikur narkoza dhe nuk ekzistonin mjekët reanimatorë, nallbanët shkaktonin artificialisht dhimbje në një organ tjetër që të hiqej qetësisht me darë dhëmballa e sëmurë…Kjo metodë primitive, megjithatë, na ka transformuar në ca dele politike që ndjekin pas përçorin e kopesë, duke shkuar nga qorrollisja në qorrollepsje, nga e vërteta te gënjeshtra, nga “koha e humbur” te “koha e mosbesimit”…Ky marifet i ndyrë, i përsëritur e vulgar mediatik, ka mundësuar, si me magji, që ne të harrojmë hallet, dhimbjet, problemet dhe shkaktarët e sëmundjeve e të infeksioneve e të hallakatemi në histori, ashtu si thotë ambasadori danez: me të dalë ku të dalë!
Në çdo shoqëri normale për një problem kaq të mprehtë, si legalizimet, shkarkimi apo dorëheqja e shefit të Aluiznit do të duhej të shpjegohej, pasi konflikti ka mbetur po aty, në themelet e shoqërisë, pavarësisht se nuk është më Shaba shef i emëruar i saj…Litari “i të vdekurit ka mbetur jashtë” e kjo do të thotë që pronarët e ligjshëm kanë mbetur me gisht në gojë, sepse politika i merr votat, pa qenë e nevojshme të bëjë fushatë, nga të “legalizuarit”, d.m.th, nga të ardhurit, që aktualisht sot janë shumicë!…Ja pse nuk mund t’i thuhet publikut se “pat dështuar Shabani dhe vartësit e tij” se ishin të paaftë, apo të korruptuar, as se fajin e pat ligji për legalizimet që kishte mangësi e nuk ka funksionuar, ndaj duhet ndryshuar, aq më pak që përgjegjëse direkte qenkësh qeveria e cila erdhi në pushtet me kartën e legalizimeve e tashmë u pa, pas shtatë vitesh, se ka dështuar ngaqë ka zbatuar, si për privatizimet dhe emërimet, një politikë klienteliste.
Në vend të një transparence të tillë përdoret “operacioni mediatik”, - vëmendja kalohet qëllimisht te “Kurbani” i Ramës për të fshehur kurbanët e politikës. Veç të tjerash, kjo bëhet jo vetëm për të mos dhënë shpjegime përse dhe cilat kanë patën qenë shkaqet e njëmendta që u kryen legalizimet e premtuara në fushatën zgjedhore që solli Berishën në pushtet, por edhe prej frikës se mos kjo propagandë nuk do të mjaftonte e nuk do të kryente dot efektin e dëshiruar, duke bërë boomerang…Për këtë shkak u nxor me ngut në ekran kryebashkiaku Basha, i cili, duke vënë pëllëmbën mbi ca dosje blu, pa dhënë shpjegime përse dhe cilat ishin shkaqet e vërteta që u krye për së mbari procesi i legalizimeve, doli të na thotë se ka vendosur të zhbllokojë dhënien e tapive për ndërtimet e palegalizuara në Tiranë…Po a do të mbarojë me kaq mishmashi tragjik i legalizim-moslegalizmeve? Pyetja tjetër: Përse policia ndërtimore shkon te disa ndërtime pa leje dhe i prish, ndërsa disa të tjera i legalizon? Kush është ai që ka të drejtë të japë verdiktin: Këto “ndërtimet pa leje” janë të ligjshme dhe meritojnë tapi, ndërsa këto të tjerat janë të paligjshme e meritojnë shembje?
***
Nuk mund të gjesh sot një shqiptar me mend në kokë që të besojë se Shaban Memia ka sabotuar qëllimisht veprimtarinë e Aluiznit për t’i shërbyer Ramës, d.m.th, për të forcuar këtë të fundit dhe për të rrëzuar nga froni Berishën. Nuk u tha madje as që u shkarkua për dobësi me këtë apo atë motivacion, pas vajtjes së kontrollit të brendshëm të dërguar nga kryeministria; as që u dorëhoq me vullnet të lirë; as se u lodh, ashtu si “u lodh” para ca vitesh edhe Besnik Mustafaj…Ndaj “çështja Memia” u la në heshtje, në mjegull: as nuk u hoq, as nuk u dorëhoq, as nuk u sha e as nuk u mallkua, madje as kush do ta zëvendësojë e si do të vejë halli i legalizimeve. Berisha dhe aparati i tij nuk merren me këtë çështje “të parëndësishme”, por me prerjen e shiritave në rrugët e katundeve, ku ai, me ngazëllim, kryen me zell e pasion ritualin e talljes me opozitën dhe tanimë edhe me një gjë konkrete: me “Kurbanin” e Ramës, a thua se ky libër, ende pa dalë në shitje, është halli kryesor i shqiptarëve!
E pra, a nuk ia vlen të shqiptohet shprehja e ardhur dhe e harruar nga koha e Haxhi Qamilit të ringjallur së fundi “pika Muhamet me kë bën muhabet”?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›