E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga llafet e Berishës te teza e Maslou-t

Ndonëse ai proverbi arab, sipas të cilit “çudia zgjat vetëm tri ditë” prej kohësh e ka provuar saktësinë e vet, ndonjëherë mund të flitet edhe për përjashtime të efekteve që përçon mesazhi i këtij proverbi. Përjashtime që i fshijnë kufijtë e një gjysmë jave apo edhe të një vendi të tërë si Shqipëria. Për shembull, u bënë muaj që qytetarët tanë ende nënqeshin me thënien e Kryeministrit Berisha, se ekonomia shqiptare ka rritjen më të madhe krahasuar me të gjitha vendet e vogla në Europë, siç ndodh me Gjermaninë ndër ekonomitë e vendeve më të mëdha të kontinentit. Pasi dëgjohen llafet e tij goja e njeriut ka plot vend për nënqeshje, por kjo puna e ritmeve të larta dyshifrore të ekonomisë sonë i bën njerëzit që pas lëvizjes së buzëve të tundin edhe kokën, duke shprehur habi të thellë e të vazhdueshme për kurajën e mashtrimit komediatik që e karakterizon këtë pushtetar.
Por nuk mbaron çdo gjë këtu. Ky farë burri, që siç ka dëftyer vet nuk mund t’i pranojë humbjet dhe dështimet, gjithashtu ka aftësinë që edhe ta bëjë çudinë të marrë arratinë dhe ku të mos vejë, të kapërcejë dete, të përshkojë hapësira, si edhe mijëra kilometra rrugë tokësore, duke lënë fare pa gojë ata që detyrohen t’i vënë veshin. Mbase s’ia vlen të kujtojmë këtu pjesë nga thagmat e shumta të tij të shprehura këtu dhe nëpër botë. Mjafton së fundmi ajo deklarata e Kryeministrit tonë në një seminar të zhvilluar në Paris, ku bëhej fjalë për përvojën e disa vendeve, si India, Brazili etj, të cilat brenda pak dekadave kanë njohur një zhvillim impresionues dhe aktualisht renditen ndër 10 ekonomitë më të zhvilluara të globit. Ndonëse në sallën e atij seminari nuk merrte pjesë asnjë kryetar shteti apo kryeministër i hartave përvijuese të Atlasit (përveç Montit), ky i yni ngjitet dhe ulet madje në katedrën e seminarit të zhvilluar në Paris, duke rrëfyer që modeli ekonomik i tij (apo i qeverisë së vet) ka qenë aq i suksesshëm, saqë tani Shqipëria mund të konkurrojë edhe Kinën, atë vend ekonomia e të cilit renditet aktualisht e dyta në shkallë globale dhe që ka shprehur gatishmërinë t’i ofrojë, veç të tjerash, edhe Bashkimit Europian ndihmë financiare të mjaftueshme për t’u kapërcyer kriza e Eurozonës.
Mbresëlënës ky pretendim i Kryeministrit shqiptar, aq sa (me çfarë shihej nga ekrani) njërin prej organizatorëve të atij eventi për këmbimin e përvojave të ndryshme e bëri të kërleshte vetullat dhe tjetrin të mbulonte ballin me pëllëmbë. Për të qenë realistë, pakkush mund ta dijë, se kur e mbajti Berisha atë fjalim: përpara, apo pasi kreu vizitën e radhës në një klinikë terapeutike të kryeqytetit francez. Sikurse, saktësisht nuk mund të dihet apo jo, se pjesëmarrja e një kreu qeverie në atë aktivitet me të ftuar të nivelit të specialistëve të fushës përkatëse përbënte thjesht një çadër nën shiun e riguar imët të Parisit drejt klinikës ku do të vizitohej. Sidoqoftë, çka dihet me siguri të plotë është fakti që Kryeministri ynë përsëri nuk i shkon mëndja të thotë të vërtetën e gjërave dhe t’i vërë gishtin kokës për përgjegjësitë mbi zhvillimet gjithnjë e më negative, që janë prezente dhe pritet të ndodhin më dendurazi në vendin tonë të varfër. Përkundrazi, edhe nga mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave për vitin 2012 ai i transmeton publikut se një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij na qenka përparimi i fshatit dhe i bujqësisë, pa harruar dy projektet madhore të mbira veçse në gjuhën e vet, ai për mbarështimin e arrorëve dhe tjetri për atë të ullinjve, që shpresohet të sjellin paqe në të gjithë zonat agrare të Mesdheut. Por, deklarime të tilla zhvlerësohen lehtësisht nga cilido që është në gjendje të arsyetojë, se infrastruktura elektronike e pretenduar nga Berisha as nuk i ndihmon bujqit tanë për t’u organizuar në shoqata kolektiviteti dhe as nuk u shtron atyre rrugët për të konkurruar me produktet vendase në Europë, madje as në Shqipëri. Njëherazi, deklarime të atilla zhvlerësohen lehtësisht nga shumëkush që e di, se shpeshtësia apo dendësia e ankandeve për bonot e thesarit dhe borxheve të brendshme gjatë ‘stafetës’ midis vitit që sapo shkoi dhe këtij që sapo filloi tregojnë qartësisht që financat publike e ndjejnë fuqimisht mungesën e likuiditetit në kushtet e përfitimit të të ardhurave më të ulëta nga ato që qenë parashikuar. Dhe, ndonëse brenda pak ditësh është shënuar që qeveria ka marrë një borxh prej 260 milionë USD, kryesisht për të zhbllokuar pagat e dhjetorit të punonjësve të administratës publike, përsëri më 16 janar pritet të zhvillohet një ankand i ri për obligacione dyvjeçare.
Mirë, po për pagat e janarit, të shkurtit, të marsit etj etj., çfarë mendohet të bëhet? Të përsëriten ankande të bonove të thesarit, duke rritur në mënyrë piramidale borxhin publik, i cili që tani dyshohet ta ketë tejkaluar ndjeshëm nivelin prej 60 për qind të PBB, sanksionuar në legjislacionin shqiptar referuar nivelit maksimal të lejuar për vendet anëtare të Bashkimit Europian. Dhe megjithatë, deri tani asnjë organizëm i pavarur shtetëror apo ndërkombëtar nuk është ndihmuar të llogarisë realisht çdo vit masën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendin tonë, që të mund të përcaktohet plotësisht, pa firo, edhe mali i borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, që do të rëndojë përherë e më dhimbshëm mbi shpinën e këtij populli. Ndërkohë që këtë javë është pritur të vizitojë Shqipërinë një grup ekspertësh të Bankës Botërore, me kërkesë të Qeverisë sonë dhe për të diskutuar e identifikuar me ‘të fushat specifike ku do të përdoret një portofol i rritur financimi, çka nënkupton dhënien e një kredie prej 100 milionë USD për zbutjen e goditjeve të krizës globale mbi ekonominë shqiptare. Përveç këtyre kërkesave për shtim të borxheve publike, afro 40 për qind e të cilave afatshkurtra(!), si do t’i përballojë qeverisja më së paku sfidat e këtij viti? Mos vallë me llomotitjet që rritja e ekonomisë shqiptare gjatë 2012 do të jetë 5.3 për qind, kur Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore dhe FMN kanë parashikuar një rritje nga 1 – 1.5 për qind?!
Këto rrethana dhe të tjera mjaft shqetësuese për vendin dhe popullsinë tonë të kujtojnë Profesorin e shquar amerikan të makroekonomisë, Maslou (1908 – 1970), i cili ka lënë si trashëgim të vyer edhe për ditët tona tezën e përpunuar prej tij që njihet ndryshe edhe si ‘Piramida e nevojave’. Në kulmin e kësaj piramide vështrohet vetërealizimi i kërkesave, që mund të arrihet pasi i ke plotësuar të gjitha nevojat e tjera. Domethënë, pak a shumë siç shprehet Berisha dhe papagallët e tij, se popullsia e Shqipërisë aktualisht karakterizohet nga një nivel jetese i mesëm dhe i lartë(?!). Ndërsa, në bazën e kësaj piramide, Maslou rendiste nevojat më jetike, si: sigurimi i bukës së gojës, strehimi dhe seksi. Në rastin tonë, ç’është e vërteta ky i fundit nuk përbën ndonjë nevojë të munguar, ashtu si në të gjitha popullsitë e vendeve mesdhetare.
Por, ndërkohë që edhe ajo çfarë ka mbetur nga pasuria kombëtare po shitet në mënyrë të dyshimtë dhe falet në mes të ditës, që çmimet po rriten çdo javë e më shumë edhe si rezultat i “suksesit” të modelit ekonomik të taksave dhe tatimeve të Berishës, kur korrupsioni i funksionarëve të lartë qeverisës dhe i atyre të administratës publike po bën kërdinë, kur çmimi i bukës, vajit dhe sheqerit qysh gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit përkoi me trefishimin e nivelit të inflacionit, kur i ashtuquajturi ‘indeks i mizerjes’ (treguesit e papunësisë dhe inflacionit) gjatë atij gjashtëmujori u paraqit qoftë edhe vetëm formalisht me shifrën 17.5 për qind, kur në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin në vijim nuk parashikohet as edhe një lek për strehimin e familjeve në nevojë etj, sigurisht që është e domosdoshme të përqendrohet vëmendja te plotësimi i nevojave më elementare të pjesës më të madhe të popullsisë. Jo te shkurtimi i numrit të punonjësve, por te hapja e vendeve të punës dhe krijimi i një klime të përshtatshme për biznesin e vogël dhe të mesëm, i cili fatkeqësisht po degradon dhe tkurret në përmasa dramatike.
Përndryshe, vendin do ta pushtojë kaosi nga vjedhjet, lëndimet apo vrasjet e njerëzve të thjeshtë, si edhe nga paaftësia e njohur e Policisë së Shtetit që as nuk parandalon dhe as nuk zbulon dot jo pak krime të kësaj kategorie, duke mos mundur kështu të përmbushë efektivisht sigurinë e personit. Pikërisht atë siguri, që Maslou e vendoste në perimetrin e nivelit të dytë bazik të ‘Piramidës’ së tij. Mosgarantimi i kësaj të drejte themelore skonton edhe llafet e sheqerosura të Berishës si kudo, edhe nga seminari në Paris, për përvetësimin nga ana e tij të profilit të Reganit mbi lirinë. I skonton ato, sepse pa siguri nuk mund të kuptohet dhe të ndjehet as liria.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›