E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga lufta, në chat

Arma e fundit e Pentagonit Skuadra analistësh të rinj kodifikojnë dhe u shpërndajnë në kohë reale informacione mbi terrenin ushtarëve dhe pilotëve të “Forcave Ajrore”. Ndonjëherë pas ekranit të kompjuterit lindin edhe miqësi

Tani brezi “Facebook” shkon në luftë. Në epokën e “telepunës” dhe internetit global, të rinjtë e rritur në “chat” shkojnë në luftë “pa u larguar nga shtëpia”, ose kazerma. “Dhomat e çatit në luftë” janë arma e fundit e amerikanëve. Grupe të rinjsh e të rejash navigojnë në internet dhe qarkullojnë drejtpërsëdrejti informacionet që vijnë nga avionët spiunë.

Nëse “tele-lufta” ka sukses është meritë edhe e njerëzve si togeri Jamie Christopher. Dymbëdhjetë orë në punë para kompjuterit të saj në bazën kaliforniane të “Beale”, litra pafund “Red Bull”-i dhe kafe për të qëndruar zgjuar: zyrtarja e lartë e “Air Force” (Forcave ajrore) është një vajzë e re e cila thotë se e bën me shumë dëshirë punën e saj. 25-vjeçarja rrëfen për “New York Times”, se nuk e ka parë kurrë nga afër Afganistanin, por vetëm përmes ekranit të kompjuterit. Megjithatë, ka qenë ajo, së bashku me qindra kolegë të saj, që i kanë drejtuar në 12 kilometra distancë njerëz si rreshteri Sean N. Smothers.

Duket si një gërshetim magjik brezash: Nga njëra janë avionët e vjetër spiunë “U2”, në aktivitet prej gjysmëshekulli, që së bashku me (dronët) (avionët pa pilotë) sjellin në bazat amerikane informacione nga fusha e betejës, ndërsa nga ana tjetër të rinjtë e rritur me “chat”-in dhe videolojërat. Në mes qëndrojnë ushtarët që luftojnë çdo ditë mes maleve me talebanët dhe ia kanë borxh jetën kësaj “ndërthurjeje magjike” informacionesh.

Sigurisht që lufta nuk është kurrë një film, madje as ajo virtuale. Mbi përdorimin e tepërt të “dronëve”, për shembull, ka folur edhe OKB-ja. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar një komision që të hetojë dhe rregullojë përdorimin e “Uav”, (Unmanned Aerial Veichle), avionët që nuk drejtohen nga njerëzit, të cilët përveçse sulmojnë baza të rëndësishme terroriste - i fundit ishte numri i tre i Al-Kaedës, në Maasri - shpeshherë shkaktojnë edhe masakra civilësh të pafajshëm.
Stanley McChrystal, komandant i një ushtrie në Afganistan, i është dashur të kërkojë falje për sulmin e rrufeshëm që në shkurt të këtij viti vrau pa dashje 23 civilë.

Në bazën e “Forcave Ajrore” të Beale, ushtarët që çatojnë i kishin lajmëruar dy-tri herë drejtuesit se në grupin i cili u sulmua pa dashje kishte gra dhe fëmijë. “Ishte një gabim njerëzor”, u shpreh njëri nga drejtuesit. “Piloti i ‘dron’-it nuk i mori informacionet e duhura në tokë”

Megjithatë, gjërat nuk funksionojnë gjithmonë siç uron koloneli Jason. M. Brown, i cili betohet se për të goditur shpejt duhet të qëndrojnë gjithmonë në gatishmëri, edhe pse ndonjëherë nuk ka besim te djemtë e “chat”-it. Mekanizmi funksionon në këtë mënyrë: “dron”-ët u dërgojnë fotografi dhe informacione analistëve në bazat amerikane dhe këto të fundit u japin komandën personave që janë në tokë dhe pilotëve, që edhe ata punojnë nga baza dhe shtypin butonin e mallkuar në një distancë prej mijëra kilometrash. Të rinjtë nuk mjaftohen vetëm me informacionet e ditës. Ashtu siç ndodh me çdo çatues, në të tilla misione lindin edhe miqësi dhe bashkëpunime. Quentin Arnold, një 24-vjeçar analist i internetit, duke punuar çdo ditë në “chat”, i janë ofruar mijëra kërkesa miqësie në “Facebook”. Shpesh çatuesit e luftës kryejnë edhe një funksion tjetër: atë të këshilluesit virtual. E njëjta gjë i ka ndodhur Andres Morales. Para pak kohësh mori një kërkesë ndërsa bisedonte në “chat” me një toger, i cili ndodhej në Afganistan. “I kishin vrarë katër nga djemtë e tij dhe gjëja e fundit që dëshironte të bënte ishte të fliste për strategji. E mbyllëm bisedën duke i premtuar njëri-tjetrit se kur të kthehej në Kaliforni do të bënin sërf së bashku”. Lufta përballohet edhe në këtë mënyrë, edhe pse nuk është aspak e bukur.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›