Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave U miratua vendimi "Për miratimin e gjendjes së mjedisit, për vitet 2001-2002". Raporti paraqitet për miratim nga Këshilli i Ministrave
Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave
U miratua vendimi "Për miratimin e gjendjes së mjedisit, për vitet 2001-2002".
Raporti paraqitet për miratim nga Këshilli i Ministrave në bazë të ligjit "Për mjedisin". Raporti është përgatitur nga Ministria e Mjedisit gjatë vitit 2003 mbi bazën e të dhënave të monitorimit të siguruara nga institucionet kërkimore shkencore të vendit në periudhën 2001-2002, në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.103, datë 31.3.2002, "Për monitorimin e mjedisit në Republikën e Shqipërisë".
Në raport paraqiten masat e marra dhe progresin e bërë në drejtim të forcimit institucional të Ministrisë së Mjedisit, integrimit dhe pjesëmarrjes, legjislacionit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe bashkëpunimi me organizma brenda vendit dhe ndërkombëtarë në kuadër të një sërë aktivitetesh të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
Raporti paraqet situatën mjedisore sipas komponentëve. Kështu paraqitet situata në:
• Cilësinë e ajrit
• Cilësinë e burimeve ujore; ujërave të brendshëm (lumenjtë, liqenet, ujërat nëntokësorë, etj.) dhe ujërat e deteve
• Situata e mbetjeve të ngurta të të gjitha llojeve (urbane, inerte, spitalore, etj.) përfshirë edhe problemet e ndotjes së shkaktuar nga disa industri.
• Situata dhe cilësia e tokës në disa këndvështrime si: përdorimi, planifikimi, cilësia e ujitjes, etj.
• Situata me pyjet, dëmtimet, prerjet
• Situata aktuale e biodiversitetit në Shqipëri
• Problemet e natyrës dhe biodiversitetit në lidhje me sektorin e peshkimit
Në raport jo vetëm është përshkruar situata aktuale mjedisore sipas përbërësve të sipërpërmendur, por edhe janë paraqitur rekomandime për përmirësime në të ardhmen.
U miratua vendimi "Për miratimin e normave të cilësisë së ajrit".
Normat e cilësisë së ajrit që u miratuan përmes vendimit janë tërësisht të bazuara në:
• Udhëzimet e OBSH-së për cilësinë e ajrit – Gjenevë, 2000
• Standartet Kombëtare të cilësisë së ajrit të cilësisë së ajrit të Agjenncisë Amerikane për Mjedisin
• Direktivat e dokumentave të miratuara të Bashkimit Europian në këtë fushë
• Eksperiencën shumëvjeçare të instituteve tona shkencore në fushën e mbrojtjes së cilësisë së ajrit.
U miratua "Për miratimin e listës së specieve të florës shqiptare, që vihen në mbrojtje".
Shqipëria është një vend me larmi të pasur biologjike ku bëjnë pjesë edhe lloje të florës dhe faunës me interes të veçantë, ndërkohë që kjo pasuri natyrore ka pësuar dëmtime të ndjeshme, të cilat duhet të ndalen sepse pasojat klasifikohen si të pakthyeshme.
Vendimi do të ndihmojë në ndalimin e ndikimeve praktike negative mbi llojet, duke identifikuar llojet në nevoja të ngutshme mbrojtjeje, si dhe duke u siguruar atyre mbrojtje të veçantë.
Vendimi trajton katër momente kryesore lidhur me listimin e bimëve të rralla dhe të rrezikuara të florës së Shqipërisë:
• Miratimin e listës së llojeve të florës shqiptare që vihen në mbrojtje;
• Vendimi urdhëron përcaktimin e statusit të mbrojtjes së çdo specieje të listës së lartpërmendur;
• Për këto specie të listuara ndalohet këputja, prerja, shkulja, mbledhja e qëllimshme dhe eksportimi i tyre, si dhe dëmtimi i mjediseve (habitateve) në të cilat ato zhvillohen në mënyrë natyrale;
• Vendimi ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Mjedisit, Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
U miratua "Për miratimin e listës së veprimtarive, që ndikojnë në mjedis, për të cilat kërkohet leje mjedisore".
Duke listuar veprimtarinë e projektet që kanë ndikim në mjedis dhe që si të tillë duhet të pajisen me leje mjedisore, vendimi sjell një plotësim të domosdoshëm në proçesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të akordimit të lejes mjedisore. Ai ndihmon në rritjen e transparencës në këto proçese, duke i qartësuar e lehtësuar ato për organet mjedisore. Për të lehtësuar përdorimin e listës dhe për ta bërë sa më të kuptueshme, në hartimin e saj është përdorur grupimi i aktiviteteve si p.sh.: industria energjitike; e prodhimit dhe e përpunimit të metaleve; industria kimike, industria ushqimore, industria e lëkurëve; e drurit dhe e letrës; industria e gomës; administrimi i mbetjeve dhe aktivitete të tjera si projekte të infrastrukturës, të zhvillimit urban e rural, të turizmit, etj.
U miratua vendimi "Për miratimin e rregullave e të proçedurave për importin e mbetjeve për përdorim, përpunim e riciklim".
E zhvillimet që ka marrë tregtia dhe biznesi privat vërehen iniciativa për ripërdorimin e mbetjeve për qëllime të ndryshme duke zëvendësuar lëndë të para dhe burime natyrore, si dhe për përpunimin dhe riciklimin e pjesshëm apo të plotë të tyre. Në këto kushte lind nevoja e plotësimit të kuadrit ligjor në këtë fushë dhe përkatësisht të ligjit bazë të mjedisit, i cili ndalon importimin e mbetjeve për qëllime depozitimi, por ndërkohë lejon importimin e tyre për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi.
Vendimi është hartuar në bazë të legjislacionit ekzistues në fushën e mbetjeve dhe në direktivat europiane për importimin e mbetjeve.
Vendimi përcakton kushtet kur është i mundur importimi i mbetjeve me përjashtim të mbetjeve të rrezikshme, importimi i të cilave rregullohet me dispozita të veçanta. Gjithashtu, përcaktohen detyrimet e importuesit të mbetjeve dhe proçedurat sipas të cilave kryhet kontrolli doganor i këtyre importeve, etj.
U miratua vendimi "Për rregullat e dhënies në përdorim të shpellave".
Vendimi përcakton rregullat e dhënies së shpellave për një administrim të qëndrueshëm, duke patur parasysh kërkesat në rritje për përdorimin e tyre për qëllime turistike. Vendimi siguron mbrojtje të veçantë të shpellave si dhe një nga kategoritë e zonave të mbrojtura të klasifikuara si monumente natyre në përputhje me klasifikimin e Qendrës Botërore për Ruajtjen e Natyrës.
Vendimi trajton tre momente kryesore të dhënies së shpellave në përdorim:
• Një shpellë mund të jepet në përdorim vetëm pasi ka përfunduar studimi dhe eksplorimi i saj dhe ajo është shpallur monument kulture.
• Vendimi përcakton rregullat, kriteret dhe proçedurat, të drejtat dhe detyrimet për dhënien e shpellave në përdorim. Në vendim përcaktohet mënyra e përgatitjes së shpellave për përdorim dhe ndërhyrjet përgatitëse të lejuara.
• Përcaktohet proçesi i aplikimit dhe marrjes së lejes së mjedisit për përdorimin e shpellave që jepet nga Ministri i Mjedisit.