E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëro Agolli: Përtej të majtës e të djathtës, Rama mund të humbë bazën rozë

Edhe pse liqeni i Pogradecit e qetëson patriarkun e PS-së, shqetësimi për situatën në PS dhe më gjerë në të majtën lexohet në fytyrën e tij. Agolli shprehet se sloganet e Edi Ramës për “aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”, nuk janë shumë të qarta. Ai kërkon nga Rama që më mirë t’u shpjegojë shqiptarëve se çfarë do të bëjë nëse do të jetë në pushtet, si do të luftojë varfërinë etj. 

Aristir Lumezi

Gjithashtu ai i sugjeron kryetarit të PS-së që të mos e braktisë elektoratin e majtë në kërkim të elektorateve gri. Por shkrimtari i njohur ende nuk sheh tek Rama politikanin e stërvitur për të drejtuar një parti të madhe si PS-ja, por shprehet se profili i tij është më i përshtatshëm për në ekzekutiv. Fatos Nano, në sytë e patriarkut të PS-së, është tashmë i shkëputur nga politika aktive dhe, sipas tij, shqiptarët prisnin që ai të ishte më i gjallë në ngjarjet e rëndësishme politike, por dhe në Parlament. Duke u rikthyer në situatën e rëndë që ekziston në të majtën shqiptare, Agolli shprehet me humor se vetëm Vranicki ose Bushi mund të ndërmjetësonte bashkimin e partive të majta në këtë moment. Duke njohur mirë peshën e gjithsecilit në PS, Agolli konsideron figurat e vjetra të saj, Ruçin, Doklen, Malajn, Islamin etj., si shtylla të forta pa të cilat kjo parti mund të shkërmoqej dhe të tkurrej në një parti të vogël. Për këtë ai i kërkon Ramës që të jetë i kujdesshëm në menaxhimin dhe alternimin e brezave në Partinë Socialiste. Por shkrimtari i njohur, që ka shkelur vendin në çdo pëllëmbë të tij dhe ka takuar më shumë njerëz se çdo kryetar partie, jep vlerësimin e tij intelektual e historik dhe për ngjarjet në Himarë dhe kryetarin e bashkisë së saj, Vasil Bollano. Sipas tij, Himara ka qenë dhe mbetet shqiptare, ndërsa veprimet e Bollanos në nxitjen e veprimeve antiligjore për pronat, bien ndesh dhe me legjislacionin ndërkombëtar.   
Me të ardhur në krye të PS-së, kryetari i saj Edi Rama ka premtuar një opozitë ndryshe, jo e stilit Berisha, por një opozitë me alternativa. Por pas tre vjetësh shohim se alternativa nuk ka pasur, fillimisht dëgjuam bilbila dhe zhurmë, gjë që solli herë-herë dhe rezultate, për ato çështje që kërkoheshin, ndërsa muajt e fundit, kemi një opozitë mjaft të qetë. Cili është mendimi juaj për këtë mënyrë opozitë-bërje?
Nuk besoj se edhe me bojkot arrihet gjë. Opozita duhet ta ngrejë zërin më shumë se sa të bojkotojë. Por ajo që mua më mundon më shumë është përçarja e opozitës, ku çdo pjesë e saj vepron më vete.    
Si gjykoni punën e Edi Ramës në krye të PS-së që prej ardhjes së tij në krye të saj?
Ai është një njeri aktiv, i veprimit, i zoti nga kjo anë. Ka gjetur një mënyrë të mirë komunikimi me njerëzit, duke shkuar në të gjithë vendin, krahina, komuna, fshatra dhe takon njerëzit dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, pavarësisht përmbajtjes së këtyre takimeve. Ky është një veprim për njohjen e njerëzve, ndoshta edhe “përtej të majtës dhe të djathtës” ai mund ta ketë një ide shumë të mirë, por nuk arrin ta shpjegojë se si arrihet kjo, se si kërkon të marrë atë kategori votuesish që janë të pavendosur dhe shkojnë sa nga njëra anë dhe sa në tjetrën, të cilët në fjalorin politik quhet “kënetë”, “moçal”. Unë do ta cilësoja Ramën më të aftë për në ekzekutiv se sa në parti. Për punët në parti, meqenëse është ende i ri, ai duhet të stërvitet edhe më shumë, sepse partitë duan një trajtim tjetër të njerëzve, në parti njerëzit nuk janë të emëruar, por vijnë vullnetarisht. Duhet gjetur një mekanizëm i tillë në komunikimin me njerëzit, duke u ndjerë më shok me ta, kryetari i partisë është më kamaradesk. Këtë anë duhet ta gjejë më mirë Edi Rama. Ai është i ri në parti, dhe unë shoh se ai ka filluar t’i kuptojë këto gjëra, por kjo varet dhe nga karakteri, psikologjia, formimi. Është e vështirë për njerëz që vijnë nga rrethana të tjera jo partiake dhe marrin drejtimin e një partie, pasi i ndjejnë vështirësitë e tilla. Njerëzit thonë se për një lider, qoftë socialist, qoftë demokrat, ka rëndësi që të mos krijojë pikëpyetje tek anëtari i thjeshtë për ato që thotë, nëse është socialist apo demokrat. Pra, besimi duhet të jetë absolut. Sepse njerëzit kanë perceptime dhe thonë se ky kryetar apo ai kryetar po sillet jo më si demokrat, por si një komunist, apo si i një partie tjetër, qoftë kjo dhe për kryetarin e një partie kundërshtare. Kryetarët duhet të krijojnë një identitet të besueshëm tek anëtarësia e tyre.
Në fakt profesor, janë të njohura deklaratat e kryetarit socialist për “aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”, apo “mos ua vini veshin partive politike”, ndërkohë që vetë është kryetari i partisë më të madhe në vend...?!
Po të isha unë në vend të Ramës, do t’u tregoja njerëzve programin tim qeverisës dhe do t’u shpjegoja në mënyrë të hollësishme dhe të thjeshtë se si do t’i arrija premtimet e mia dhe një pjesë e madhe e popullit do të më pranonte. Unë do t’u tregoja me fakte konkrete se si do të luftoja varfërinë, se si do t’u rrisja rrogat e pensionet dhe si do hapja vende të reja pune. Duhet të ketë dhe një logjikë politike në ato që thuhen. Parulla të tilla si “do bëj aleancë përtej të djathtës dhe të majtës” më venë në mendime, sepse njerëzit janë të djathtë dhe të majtë. Atëherë përtej të majtës dhe të djathtës, ku do t’i gjejmë njerëzit për aleancë? Edhe në Mars pati iluzion për jetë në këtë planet, por njerëz nuk ka për aleanca aty.
Duket se kryetari socialist kërkon përmes këtij slogani që të tërheqë atë pjesë të elektoratit gri, që nuk ka shumë besim as tek e majta dhe as tek e djathta, duke konsideruar të palëvizshëm elektoratin e tij të majtë?
Po e humbe elektoratin tënd dhe bazën tënde rozë apo të kuqe, rezultati të shkoqet.
E thamë dhe më lart që jemi shumë pranë zgjedhjeve. Në këtë situatë, mendoni se mund të kemi një pozicionim aktiv të Fatos Nanos për vetë rolin e tij historik në PS, si i vetmi kryetar që prej krijimit të saj, apo mund të kemi dhe shmangie të tij nga drejtuesit aktualë? 
Fatosi është i zgjuar dhe ka përvojë politike, por ka disa anë të tjera, për të cilat duhet të kishte bërë kujdes, ai duhet të qëndronte më pranë ngjarjeve politike, të shkonte në Parlament, të bënte një diskutim, të ndjehej se ky njeri jeton. Sepse populli të gjykon, se nëse do të vendosë kandidaturë, sovrani do të thotë: “More, por ky s’vajti asnjëherë në Parlament, pse ta votojmë?”. Nuk më kujtohet se kush ishte një, ose Rafaeli, ose një artist i madh, që i thanë se pse nuk të ngrenë ty shumë monumente? Ai tha që, “më mirë të mos ma ngrenë monumentin, sesa të ma ngrenë dhe të më thonë se pse ia ngritëm”. Domethënë, edhe kjo punë, ta zgjedhësh deputet, kur janë të tillë, do thonë më mirë të mos më kishin zgjedhur se sa më zgjodhën në këtë mënyrë. Në këtë situatë që është e majta, kërkohet një interlokutor mes palëve për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Mund të jetë Nano një ndërmjetës që mund të bashkojë të majtën, Ramën, Metën, Gjinushin, Milon, Cekën?
Jo, jo, ai nuk mund ta kryejë këtë mision. Atë mund ta bëjë vetëm Vranicki, që pajtoi gjakrat në një situatë lufte të atillë. Ose mundësisht Bushi (qesh) mund ta bëjë një gjë të tillë. Asnjë figurë ballkanike nuk mund ta kryejë këtë mision.
Tre vitet e fundit, kemi një përfshirje të një numri të madh të rinjsh në forumet qendrore të PS-së. Në këtë mënyrë kemi një bashkim brezash në PS, një pjesë me shumë përvojë partiake, si Ruçi, Dokle, Malaj, Majko, Islami etj., dhe pjesa e re, me shumë pak përvojë dhe prejardhje partiake. Cili mendoni se duhet të jetë pozicionimi i brezave në PS në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës?     
Këta që përmende, janë të pakonsumuar, me aktivitet, të rinj janë dhe ne shohim në botë se ata që futen në politikë nuk janë aq të rinj sa i kemi ne. Por përveç kësaj, ata janë dhe kapacitete, p.sh., Arben Malaj, është një nga ekonomistët më të zotët që kemi ne, Kastriot Islami, me eksperiencë të madhe, dhe në anën organizative kemi Gramozin me shumë përvojë, po ashtu dhe Namiku është mjaft aktiv. Nëse bëhet një veprim i tillë, pra që të largohen këta, PS-ja do të shkojë drejt shkatërrimit. Sepse PS-ja ka një histori të saj. Në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, asaj iu ndërrua emri dhe u thanë disa variante për emrin. Atëherë kishte mendime nga disa që në atë kongres, PPSH të shpërndahej, pasi misioni i saj kishte mbaruar. Në një deklaratë u kërkua që ajo të shpërndahej dhe më vonë të krijoheshin parti të tjera me emra të tjerë. Mirëpo nëse ajo do të ishte bërë, PS-ja sot s’do të ishte kjo që është, por një parti e vogël, e tkurrur, si PSD, që u bashkua dhe vajti me PD-në. Kur unë fola në kongres, për mosshpërndarjen e PPSH-së, disa figura, që unë i kam dhe miq, u ngritën dhe më thanë se pse ti kërkove që të mos shkrihej PPSH-ja. Sipas meje, PS-ja e re nuk do merrte asnjë deputet në atë kohë. Sot, PS-së i ka mbetur nofka se rrjedh nga PPSH dhe ka mendime që kjo të shkrihet dhe të ndërtohet nga e para. Nëse kjo do të bëhet, PS-ja do të përfundojë si partia e Kraksit në Itali. Nëse do merren të tilla veprime, pra që të hiqen kuadrot e vjetra në parti, kjo do ishte rrezik dhe ndoshta dhe fundi i PS-së. Kërkohet një koordinim mes të rinjve dhe të mos shihen të vjetrit si honore, si Mao Ce Duni.
Mendoni se Rama, si njeri i veprimit që anon nga radikalja, mund të bëjë një alternim të kujdesshëm brezash?
Ma merr mendja se nuk do bëjë veprime radikale, se ndryshe do humbë dhe partinë. Mesa shoh unë ai i respekton këto figura, ata e përkrahin, por gjithmonë nuk mund t’i shmangësh pikëpyetjet.
Ditët e fundit kemi një debat në Himarë për çështjen e pronave të bregdetit. Problematika aty rritet që nga episodet e zgjedhjeve vendore të 2003-it me thirrje nacionaliste në ekstazë e deri në një injorim të ligjeve të shtetit shqiptar për çështjen e pronave, përmes një vendimi të marrë pak ditë më parë. Si i gjykoni veprimet e kryetarit të bashkisë së Himarës, Bollano, në mbështetje të këtyre veprimeve?
Mendoj se sjelljet e Bollanos nuk janë të ligjshme dhe shkelin legjislacionin ndërkombëtar. Unë e njoh historinë e Himarës. Himara është pothuaj në mes të Shqipërisë, nga Himara shkon gjatë bregdetit në Sarandë, në Konispol dhe prej andej në Çamëri, treva shqiptare. Të gjitha këto janë shqiptare. Himara vetë është shqiptare. Këta njerëz që jetonin aty vinin si emigrantë dhe punonin në Korfuz, apo ishuj të tjerë në Greqi. Kur shkonin atje bashkë me fëmijët, doemos ata mësonin gjuhën e atij vendi ku punonin, siç ndodh dhe sot me emigracionin. Këtë gjuhë ata e flisnin dhe në shtëpi me fëmijët. Kështu që ata flisnin të dyja gjuhët. Pse atje flitet greqisht, pretendohet se Himara është minoritet grek. Edhe kapedanë të mëdhenj himarjotë, gëzimet dhe hidhërimet e tyre i kanë kënduar në shqip. Kjo është tradita që shkon nga brezi në brez. Kështu ndodh dhe në Kalabri dhe Siçili, ku arbëreshët qajnë dhe këndojnë shqip brez pas brezi. Por ne nuk mund të kërkojmë që ata të shpallin krahinë autonome Kalabrinë. Edhe Bollano e ka gabim historikisht. Por ai gjen terren dhe e shfrytëzon atë, pasi Shqipëria ka rreth 600 mijë emigrantë në Greqi. Por ne si popull i urtë, nuk kërkojmë të acarojmë marrëdhëniet, gjithnjë kemi pasur marrëdhënie të mira. Edhe kur hynë grekët në 1949, që ndiqeshin nga andartët, ne i mbrojtëm, i strehuam dhe i nisëm nëpër Evropë. Ne kemi pasur lidhje të hershme edhe në revolucionin grek në shekullin e 19, shqiptarët kanë qenë udhëheqësit e revolucionit. Duke parë nevojën tonë për njerëzit që punojnë atje, Bollano me shokë bën gjëra të tilla, sepse thonë që këta kanë frikë dhe nuk do ndjehen dhe se ne kemi Dajo grekun. Dhe qeveria shumë herë ndodhet në pozita të vështira. Edhe këto të drejtat e njeriut shumë herë janë të çuditshme. Bastardët sillen në këtë mënyrë si Bollano. Mushka hedh vickla, sepse është e bija e gomarit nga bashkimi me kalin, kështu që është bastarde. Minoritarët janë njerëz të zotët, kanë në partinë e tyre deputetë, por ka dhe PS-ja deputetë minoritarë në parti. Edhe heqja e tabelave të rrugëve është e jashtëligjshme. Kjo, edhe sepse nuk je në zonë minoritare, vetëm në Dropull ato mund të vendosen, pasi dihen që janë zona minoritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›