E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania: Si mund të hapen dosjet

 

Aristir Lumezi

Gjermania do të asistojë në ligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në Shqipëri. Zëdhënësja e shtypit e ambasadës gjermane në Tiranë, Irene Eidemyller, sqaron për gazetën “Panorama”, se e ngarkuara Federale për Dokumentet e Sigurimit të Shtetit në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë, Marianne Birthler, do të vizitojë Shqipërinë më 21 tetor 2008 me ftesë të ambasadës gjermane dhe Fondacionit “Friedrich Ebert”. Sipas të njëjtit burim zyrtar, Birthler do të prezantojë punën e autoritetit që ajo drejton në një debat publik në podium dhe do të diskutojë më pas me ekspertë shqiptarë. Zëdhënësja e shtypit e ambasadës gjermane, tregon detaje se cili është kuadri ligjor në ish-Gjermaninë Lindore, mbi të cilin është bazuar dhe bërja e transparencës për anëtarët e STASI-t. “Në Gjermani, ligji për Dokumentet e Sigurimit të Shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane (Ligji i Dokumenteve të STASI-i) përbën kuadrin ligjor për shikimin e dosjeve. Pikësëpari dosjet mund t’i shohin individë të veçantë, të cilët janë mbajtur në vëzhgim nga STASI”, shprehet Irene Eidemyller. Duke lënë të kuptohet se këto do të jenë dhe piketat mbi të cilat do të referojë dhe zonja Marianne Birthler në takimin publik të saj, zëdhënësja e shtypit e ambasadës gjermane shprehet se, “autoriteti që zonja Birthler drejton, jep ndihmesë dhe në verifikimin e personaliteteve në funksione dhe pozicione të larta”. Por për të bërë këtë transparencë përshkruhen dhe rregulla të forta. “Edhe studiuesit dhe gazetarët mund të kërkojnë të kenë akses në këto dosje për qëllime të trajtimit historik. Dokumentet mund të shikohen vetëm sipas rregullave të rrepta për mbrojtjen e të dhënave dhe vetëm për qëllime të caktuara, si dhe mund të publikohen vetëm në bazë të rregullave të veçanta të përcaktuara me ligj”, shprehet zëdhënësja e shtypit e ambasadës gjermane. Sipas saj, “rregullat ligjore i shërbejnë balancimit midis interesit për informacion të një opinioni publik demokratik dhe mbrojtjes së të drejtave të personaliteteve. Ato ndërkaq shihen si një lloj shembulli në trajtimin e dosjeve në një shoqëri postditaktoriale”. Shqipëria, Ukraina dhe Rusia janë vendet që nuk kanë realizuar hapjen e dosjeve dhe nuk kanë dënuar krimet kundër komunizmit.
Nga të gjithë ish-vendet komuniste, vetëm këto tre shtete nuk po zbatojnë rezolutën e nxjerrë së fundmi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve kundër komunizmit.
Pas ribashkimit, Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stassi. Ligji për dosjet e Stassi-t, i mbrojti ato nga shkatërrimi dhe mundësoi hapjen e tyre graduale.

OSBE ndërhyn në debatin për dosjet
Në debatin për hartimin e dosjeve ka ndërhyrë edhe OSBE-ja. Ky organizëm ndërkombëtar i bëri thirrje klasës politike që të mos nxitohet në miratimin e këtij projektligji, pa zhvilluar më parë një debat të gjerë. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Bosch, në një deklaratë për median, i kërkoi Parlamentit që të realizojë një debat të gjerë për këtë çështje dhe mos ta miratonte brenda 14 ditëve të mbetura të muajit korrik.

Gjermania bëri ligjin që në 1991
Pas ribashkimit, Gjermania kaloi një ligj në vitin 1991 për hapjen e arkivave të policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stassi. Ligji për dosjet e Stassi-t, i mbrojti ato nga shkatërrimi dhe mundësoi hapjen e tyre graduale.Çdo shtetas ka të drejtën të inspektojë dosjet personale dhe të gjejë se deri në çfarë mase Stassi ka ndikuar në jetën e tij. Më shumë se dy milionë njerëz i kanë inspektuar dosjet e tyre.

Kuvendi, shtyhet ligji për në sesionin e dimrit

Parlamenti kishte parashikuar që të votonte projektligjin në sesionin parlamentar të verës që u mbyll në muajin korrik. Por debatet pa fund mes socialistëve dhe demokratëve për këtë çështje, mosdhënia e konsensusit bëri që ky projektligj të shtyhet. Në Kuvendin e Shqipërisë prej dy vitesh gjenden katër projektligje, të cilat janë depozituar nga PDK, PS, PD dhe së fundmi nga deputeti Aleksandër Biberaj. Pas shumë debatesh dhe diskutimesh në Komisionin parlamentar të Ligjeve, demokratët paraqitën një projekt të ri, por që u kontestua nga ana e socialistëve, për shkak se u cilësua si një ligj që synon lustrimin dhe jo hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit për qytetarët. Por kërkesa e socialistëve u hodh poshtë nga demokratët, pasi kërkonin t’i hapnin ato vetëm për zyrtarët e lartë të shtetit dhe për deputetët që do të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Divergjencat bënë që nisma ligjore të shtyhet, duke u lënë më tepër kohë parlamentarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›