Policia ka nisur hetimet për sulmet ndaj objekteve të kultit në Korçë dhe Rrogozhinë
Objektet e kultit vihen sërish në shënjestër të grabitësve. Dy kisha janë vjedhur gjatë 24 orëve të fundit në juglindje të vendit, një në Tushemisht dhe një tjetër në Leskovik. Por, nuk janë lënë mënjanë edhe xhamitë, pasi një e tillë ka rënë pre e hajdutëve në Rrogozhinë. Në të tri rastet vjedhjet janë kryer me thyerje dhe mendohet se kanë ndodhur gjatë orëve të natës, ndërkohë që vetëm mëngjesin e së dielës është konstatuar mungesa e objekteve në brendësi të këtyre kishave dhe vjedhja e parave.
Komisariati i Policisë Kavajë ishte njoftuar mëngjesin e djeshëm se ishte vjedhur Xhamia e Rrogozhinës. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së antikrimit, të cilat kanë nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe evidentimin e sendeve të vjedhura. Sipas të dhënave të para hetimore, mendohet se vjedhja është kryer me thyerje gjatë orëve të vona të natës dhe është vënë re vetëm në mëngjes. Hajdutët kanë njohur terrenin dhe menjëherë kanë vjedhur një aparat fotografik dhe 19 mijë lekë. Sipas policisë, për këtë vepër penale ka nisur puna për identifikimin e autorëve dhe janë shoqëruar disa të dyshuar, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë emër konkret për ndonjë të arrestuar.
Nga ana tjetër, policia e Korçës bën të ditur se në orët e mëngjesit të djeshëm është raportuar vjedhja e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” së qytetin e Leskovikut dhe kisha e “Pandelimonit” në fshatin Tushemisht, të Pogradecit. Burimet e policisë që kanë shkuar në vendngjarje kanë bërë të ditur se kisha e Shën Mërisë e pozicionuar në periferi të qytetit të Leskovikut, në rrugën që të çon drejt Përmetit, është grabitur dhe dëmtuar gjatë natës. Në këtë objekt kulti është konstatuar mungesa e ikonave dhe dy dyerve të vjetra. Sipas policisë, bëhet fjalë për pesë ikona të pikturuara në vitet e fundit që ndodheshin në kishën e Shën Mërisë, por ajo që ka çuditur uniformat blu ka qenë vjedhja e dy dyerve të brendshme të dhomave të kishës, që mendohet se kanë një vlerë të madhe, pasi rezulton se janë dyer të vjetra me gdhendje në dru.
Burimet e policisë kanë thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë dhe po punohet për zbardhjen e autorësisë. Ndërsa për rastin e kishës së Shën Mërisë në Leskovik, policia lokale ka shoqëruar tre persona të dyshuar, ndërkohë që pa autor mbetet vjedhja e kryer në kishën e Pandelimonit në fshatin Tushemisht në Pogradec. Vjedhja e kishës është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga ana e klerikëve ortodoksë dhe banorëve të zonës. Burimet e policisë që kanë shkuar në vendngjarje kanë thënë se vjedhja është kryer me thyerje nga persona ende të paidentifikuar. Autorët kanë hyrë në kishë nga një derë anësore dhe më pas kanë vjedhur kasafortën ku hidheshin paratë e besimtarëve.
Kjo është e disata herë që Kisha e Pandelimonit në Tushemisht bie pre e grabitjeve, por deri më tani nuk ka asnjë autor të zbuluar. Dy vjedhjet e radhës u shtohen grabitjeve që janë kryer së fundmi në objektet e kultit në rajonin e Korçës. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë raportuar të paktën katër raste vjedhjesh të kishave.