E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga qendra e ngujimit, u zhdukën 190 mijë $

Ish- drejtoresha Luani: Fëmijët janë mbajtur me ndihmat e shoqatave humanitare dhe ushqime të falura në Poliçan

Nuk dihen ku përfunduan paratë e dhëna nga Banka Botërore për rikonstruksionin e godinës

TIRANE- Fondet e humbura të adresuara për Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, kapin shifrën e rreth 190 mijë dollarëve amerikanë.


Kjo është shuma e përafërt me të cilat dyshohet se është abuzuar nga personat që kanë pasur në dorë këto fonde apo nëpër të cilët kanë kaluar. Mes personave të hetuar prokuria, ka marrë mes të dyshuare të tjerë edhe ish- Ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Ky i fundit pritet të merret në pyetje nga organi i akuzës me qëllim dhënien e sqarimeve në cilësinë e personit nën hetim ndërsa prokuroria po heton këtë histori abuzimi prej më tepër se dy vitesh.


Fondet e abuzuara janë bërë të ditura për "Shekullin", nga burime të organit të akuzës sipas të cilëve, një fond prej 100 mijë dollarësh ka qenë pjesë e një projekti të Bankës Botërore për rikonstruksionin e godinës së qendrës.

Po kështu, sipas burimeve, abuzimet janë kryer për një fond prej, 2.7 milionë lekësh që janë akorduar nga Ministria e Punës në fund të vitit 2006, për ushqimin e fëmijëve dhe për pagesa të tjera të qendrës.

Fondi i tretë mësohet se kap vlerën e rreth 5 milionë lekëve të reja të akorduara po nga kjo Ministri në vitin e kaluar për shpenzime të nevojshme të kryera në qendër dhe për kryerjen e pagesave të ushqimeve të blera për fëmijët.

Të gjitha këto fonde mësohet se janë adresuar për llogari të qendrës së fëmijëve të ngujuar, por që sipas ish- drejtoreshës së qendrës, Liljana Luani, këto para nuk kanë mbërritur në destinacion dhe nuk ka qenë e mundur të përdoren për fëmijët e ngujuar. Rreth 20 fëmijë të kësaj kategorie, kanë qenë të detyruar të ushqehen me ushqime të falura, të blera me listë apo edhe me ndihma të dhëna nga familje të ndryshme poliçanase apo edhe nga ndihma të dhëna nga fondacione bamirëse.

Vetë ish- ministri që aktualisht kryen detyrën e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave, ka pohuar dy ditë më parë për "Shekullin", se ai në të gjitha rastet kishte respektuar ligjin dhe kishte vepruar në bazë të tij.


Edhe në këtë rast ai ka pretenduar të njëjtën gjë. Ish- drejtoresha, Liljana Luani, ka pohuar dje për gazetën "Shekulli", se ajo kishte denoncuar vetë në prokurorinë e Beratit, abuzimet me fondet e fëmijëve të kësaj qendre.


"Unë kam denoncuar në prokurori abuzimet që janë kryer nga pushteti vendor duke marrë paratë dhe duke mos i kanalizuar ato për qendrën". Gruaja pohoi se fondet e akorduara për këtë qendër nuk kanë mbërritur siç kanë qenë parashikuar, por janë kanalizuar në rrugë që ende nuk dihen.

Më tej ish- drejtoresha e qendrës tha se kishte denoncuar abuzimet në Ministrinë e Punës, si dhe në zyrën e Kryeministrit, ku kishte takuar këshilltarin e tij, Myqerem Tafaj. Ish- drejtuesja ka shprehur shqetësimin se aktualisht qendra nuk kryenin funksionin për të cilin është ngritur, pasi për të drejtuar atë është emëruar kryetari i Këshillit Bashkiak të Poliçanit.

"Në qendër janë vetëm pesë fëmijë që nuk janë në gjak, dhe një grua",- pohoi Luani që shtoi nesër (sot) fillon semestri i dytë i vitit shkollor dhe fëmijët tashmë janë të ngujuar në shtëpitë e tyre dhe nuk marrin arsimimin e duhur. "Fëmijët janë ndihmuar nga shoqatat humanitare si ajo Betany në Fushë- Krujë dhe znj. Liri Berisha",- përfundoi ish- drejtoresha Luani.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›