E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jordanezi i dyshimtë nën hetim për falsifikim dokumentesh

Husam Tayeh, 44-vjç, akuzohet nga policia se ka falsifikuar dekretin e Presidentit për shtetësinë e tij

TIRANE- Një Jordanez me banim në Tiranë, është marrë në ndjekje penale nga policia e kryeqytetit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.


Antikrimi ekonomik-financiar çon për ndjekje penale, Husam Tayeh, 44-vjç, banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi jordaneze, ndërsa ai pasi akuzohet për veprën penale të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve".


Lajmi bëhet i ditur nga burime të policisë që thanë për "Shekullin" se Tayeh, ka kërkuar të pajiset me pasaportë shqiptare, duke falsifikuar dekretin e Presidentit të Republikës, me nr 1718, të datës 15 maj të vitit 1997.

Sipas pretendimit të jordanezit, me këtë dekret që pretendohet të jetë lëshuar në kohën që president ishte Sali Berisha, ai kishte fituar shtetësinë shqiptare. Nga verifikimet e kryera nga efektivët e policisë, ka rezultuar se 44-vjçari jordanez ka falsifikuar dokumentacionin, pasi nuk ka përfituar asnjëherë shtetësinë shqiptare.

Në fund të muajit dhjetor të vitit që kaloi, mësohet se Husam Tayeh aplikoi pranë drejtorisë së policisë së Tiranës për t'u pajisur me pasaportë. Jordanezi ka argumentuar në dokumentacionin e paraqitur se kishte përfituar shtetësi shqiptare duke paraqitur dokumentet që në fakt rezultonin false.

Por gjatë procesit të verifikimit të dokumentacionit për prodhimin të pasaportës është vënë re se dokumentet e paraqitura nga jordanezi ishin false. Menjëherë u njoftuan specialistët e antikrimit ekonomik-financiar të cilët nisën hetimet.


Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, fotokopje të dokumentacionit të paraqitur nga 44-vjçari jordanez, fotokopje të pasaportës jordaneze, me emër Husam Ibrahim Ali Tayeh si dhe fotokopje e pasaportës shqiptare me nr.0968708, me emër Tayeh Husam.


Ndërkaq, policia ende nuk ka zbuluar vendndodhjen e Tayeh por të dhënat e tij janë zbuluar në bazë të dokumenteve që ai ka dorëzuar për t'u pajisur me pasaportë. Ndërkohë që policia shtoi se po punohet për lokalizimin e vendndodhjes së tij me qëllim që të merret në pyetje, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për hetimin e krimit të falsifikimit të dokumenteve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›