E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga se duhet të kemi frikë sot?

IVANA TOMÇO
Epoka e sotme prodhon vazhdimisht frikë dhe ankth. Përballë rrezikut të papunësisë, sëmundjeve, dhunës, luftërave, ne ndihemi të pambrojtur. Por, a duhet të mendojmë se frika dhe ankthet janë diçka e paligjshme? Unë them: absolutisht jo. Ankthet janë gjithnjë të ligjshëm dhe janë rezultat i një sërë fenomenesh të sotëm që, të radhitur njeri pas tjetrit, prodhojnë një klimë pasigurie kolektive dhe personale. Së pari, zhvillimi dhe përmasat që ka marrë individualizmi. Ky faktor izolimi e ka bërë, unin tonë aq të rëndësishëm dhe mbizotërues, saqë ai na detyron të përsosemi dhe të realizohemi në të gjitha planet: personal, profesional dhe afektiv për të mundur të dominojmë. Kjo është bërë tashmë një peshë e rëndë për të gjithë ne.
Përballë kësaj situate, disa fajësojnë veten. Psh: të rinjtë që janë duke kërkuar punë, mendojnë se janë vetë ata, totalisht përgjegjës për këtë situatë, ngaqë nuk kanë ditur të integrohen. Por, ankthet dhe frikat e sotme, nuk janë emocione që i ndeshim për herë të parë. Njeriu i sotëm, i ndodhur mes mospajtimit mes dëshirave të tij të shumta, të pakufishme dhe padrejtësive të imponuara nga të tjera qenie njerëzore, është jo vetëm i ekspozuar ndaj frikës dhe ankthit, por i dënuar të vuajë pasojat. Kjo situatë njerëzore është e natyrshme. Por ne duhet të reagojmë duke investuar në ideale të mëdha kolektive, pasi këta faktorë shprese mund të premtojnë për një të ardhme më të mirë. Epoka jonë, më së shumti, na propozon vetëm një ideal suksesi, të bazuar mbi pasurimin dhe karrierën profesionale, që imponojnë realizimin e vetvetes nëpërmjet kritereve thjesht  ekonomike. Gjendja e ankthit të shoqërisë sonë shpjegohet gjithashtu edhe me dallimin e madh që ekziston mes asaj që ne kemi pritur dhe realitetit që na ofrohet. Përparimet e gjithanshme shkencore, teknike, na kishin bërë të mendonim se ne po shkonim drejt një shoqërie gjithnjë e më harmonike, pa konflikte dhe që do ta kishim të thjeshtë të menaxhonim fatet tona. Kishim jetuar me iluzionin e një bote të pastër e të sterilizuar, ndërkohë që Sida mbërriti dhe prishi  imazhin e seksualitetit- vendit të lirisë dhe shpërthimit të vetvetes. Sot, seksi duhet të jetë i mbrojtur, përndryshe, mund të të vrasë. Sot mund të marrim sëmundje të tmerrshme nëpër spitale-vendi ku shkojmë për tu shëruar. Shkolla, tradicionalisht, vendi i integrimit, sot është bërë hapësirë dhune dhe pasigurie. Institucionet nuk luajnë më rol mbrojtës, të paktën subjektivisht. Pra, në botën e sotme: vdekja, shkatërrimi, sëmundja, vuajtja, nuk mund të evitohen. Ato tashmë janë pjesë e pandarë e jetës, ato banojnë në pjesën më intime të qenies sonë. Dhe më e keqja: shoqëria nuk na propozon më rrugë të frytshme për të qenë bashkë në përballimin e tyre.
Atëherë, si duhet ta përballojmë këtë situatë? Nga se duhet të kemi vërtetë frikë sot, në vitin 2009?
Nga frikat tona, sidomos nga ato që i shpalosim pa u skuqur aspak para fëmijëve tanë. Një njeri që ka frikë, vdes 100 herë në ditë, ndërsa ai që nuk vuan nga kjo, vdes vetëm një herë. Të merresh me frikat, do të thotë të fillosh të vdesësh. Dhe ta bësh këtë hapur, para fëmijëve të tu, në televizion apo diku tjetër, do të thotë të vrasësh aftësinë e tyre për të dëshiruar botën. Ja pse nuk jam dakord me ata që trumbetojnë parimin e famshëm të të ruajturit nga gjithçka: parim llahtarisës dhe vrasës, e kundërta e parimit të dëshirës, e cila e gjallëron shoqërinë. Ja pse ndjej neveri ndaj të gjithë panikndjellësve modernë, frikësuesve të çdo lloj natyre, të cilët duke vepruar në emër të kësaj apo asaj çështjeje, nuk bëjnë tjetër veçse shpërndajnë ankth dhe mosbesim ndaj jetës. Ndonjëherë, natyrisht ata kanë të drejtë, por duhet të kenë parasysh se dëmi që i shkaktojnë tjetrit, shpesh është shkatërrues. Është gabim të trembësh  qenie të tjera njerëzore, të cilat aspirojnë të kenë gëzim në zemrën e tyre. Askush nuk ka të drejtë të plagosë entuziazmin që ka tjetri për jetën.
Përse? Sepse në dashuri dhe në gjithçka tjetër, zgjidhjet e vërteta ekzistojnë dhe gjenden vetëm me dëshirë dhe vullnet. Si do të mundim ti edukojmë fëmijët tanë që të mos kenë frikë, në një botë ku të rriturit shpalosin frikat e tyre pa iu dridhur qerpiku? Si ti ndihmojmë të vegjlit të shërohen nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila po ndal vrullin e brezit të ri? Fillimisht, duke detyruar më parë veten tonë të mos kemi frikë, fëmijët tanë perceptojnë dhe përvetësojnë më lehtë atë që ne jemi, pra, modelin tonë, sesa atë që ne ju themi atyre. Le tja themi të vërtetat fëmijëve tanë! Realiteti është më i gjerë sesa ne e mendojmë. Asgjë nuk është e parealizueshme, përveç asaj që ne e konsiderojmë si të tillë.  I parealizueshëm dhe i rrezikshëm është vetëm këndvështrimi ynë, nëse ne vërtetë nuk duam ta ndryshojmë.

Last Updated on Friday, 26 June 2009 02:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›