E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga sezoni i ri nis liga e femrave

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) si duket, më në fund, ka vendosur të startojë me ligën e femrave. Në kuadër të angazhimeve të FFK-së për fillimin e ligës së femrave, të mërkurën në Shtëpinë e Sporteve është mbajtur një takim me përfaqësuesit e skuadrave të femrave.

Në këtë takim morën pjesë nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, anëtarja e KE dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave, Vjollcë Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Ndërsa nga klubet të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe përfaqësuesit e klubit Kaçanikasja, Llapi,Malisheva, Kosova, Jakova dhe Vizioni, derisa kanë munguar
përfaqësuesit e klubit Prishtina, Trepça ’89, Trepça, Erenik dhe Istogu, të cilat po ashtu kanë nisur organizimin e klubeve të femrave.

Vjollcë Krasniqi ka thënë se pas disa turneve të organizuara është treguar dhe dëshmuar se Kosova ka shumë talente të futbollit të femrave, ndaj duhet sa më parë të bëhet organizimi i ligës së femrave.

“Tashmë shumë nga klubet janë regjistruar në FFK- dhe i kanë kryer të gjitha formalitetet për të zhvilluar aktivitetin si klube, ndërkohë që u bëhet thirrje klubeve tjera që sa më parë të fillojnë një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FFK.

Zyrtarët e futbollit kosovar u kanë shprehur gatishmërinë përfaqësueseve të klubeve për gjithë ndihmën që FFK-ja mund të japë për ato klube. E nga ana e tyre përfaqësuesit e klubeve janë shprehur të gatshëm që në kampionatin 2010/2011 gjithsesi të fillojë edhe liga e femrave në futboll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›