TAS do të japë të martën më 18 maj verdiktin për Riberi
Komisioni Disiplinor dhe ai i Apelit të UEFA-s e kanë dhënë dhe konfirmuar skualifikimin për tri ditë të Frenk Riberi, pas kartonit të kuq gjatë gjysmëfinales së Championsit kundër Lionit. Ky sanksion do të detyrojë talentin transalpin të mungojë në finalen e madhe kundër Interit më 22 maj, por Bajerni i Mynihut nuk është dorëzuar ende, duke e hedhur në shkallën e fundit të gjykimit, atë të Gjykatës së arbitrazhit sportiv (TAS) të Lozanës. Prandaj nga Zvicra ka ardhur lajmi se verdikti final në lidhje me Riberinë do të bëhet i ditur të martën, më 18 maj, katër ditë para ndeshjes më të shumëpritur të sezonit të futbollit europian. “Do të kërkojmë që të rikuperojmë Riberinë për finalen deri sa të gjitha mundësitë të jenë ezauruar, ka deklaruar Karl Hainc Rumenige. Na ka mbetur edhe një hapësirë e vogël për optimizëm, ngaqë na duhet të provojmë edhe shansin e fundit”. Sigurisht që është i ndryshëm opinioni i Zhoze Murinjos, i cili ka komentuar rastin e Riberisë, duke iu referuar edhe skualifikimit të Tiago Motës: “Situata është e çuditshme, me të vërtetë shumë e çuditshme: Të gjithë e dinë motivin e ndëshkimit me karton të kuq të Ribersë dhe nuk e kuptoj pse duhet të vazhdojnë të ankohen ende? Nga ana jonë në Barcelonë është përjashtuar me karton të kuq Tiago Mota, nuk po them se është një gabim i gjyqtarit, sepse shpesh ndodh që edhe ‘bluzat e zeza’ të mund të mashtrohen nga lojtarët, si në rastin e Buskets, gjë që në fakt do të detyrojë Motën të mos jetë i pranishëm në finalen e “Bernabeut”, në datën 22 maj, edhe pse ai nuk kishte bërë asgjë për ta merituar kartonin e kuq. Ne paraqitëm apelimin tonë, duke pranuar thjesht rregullat e lojës, prandaj nuk arrij ta kuptoj sjelljen e Bajernit të Mynihut, i cili këmbëngul ende.
#