E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: Kapelo, me lojtarë të shkatërruar

Angli

Fabio Kapelo ka përjetuar një ditë të vështirë tek Anglia, ndoshta e para që prej emërimit në krye të stolit. Fillimisht ai nuk u lejua nga federata që të konkretizonte projektin “Capello Index” (sajt në internet, në të cilin do të jepeshin të dhëna për paraqitjen e lojtarëve vetëm dy orë pas ndeshjeve në Botërorin 2010), ndërsa më pas u refuzua nga Pol Skolls, rreth mundësisë që mesfushori i Mançester Junajtid të kthehej në përfaqësuese. Lojtari 35-vjeçar preferoi të shkonte me pushime me bashkëshorten dhe fëmijët. Sikur të mos mjaftonte “Double World Cup No” (Refuzimi i dyfishtë i Botërorit), titull i përdorur nga tabloidi “The Sun”, disa gazeta të tjera, mbi të gjitha “Telegraph Sport”, kanë kritikuar listën me 30 emrat e përzgjedhur paraprakisht për ekipin që do të luajë në Afrikën e Jugut. Mes të dëmtuarve të mëparshëm si Geret Berri që është pranuar vetëm përkohësisht dhe problemeve të papritura si ato të Bobi Zamoras dhe Fil Nevil, kontestime ka pasur edhe për grumbullimin e Xho Kol, i cili ka zhvilluar një sezon të dobët, te Skot Parker që nuk ka luajtur asnjëherë nën drejtimin e Kapelos, apo thirrjet e Xhemi Karrager, Majkëll Douson, Ledli King e Adam Xhonson. Sipas “Mirror Sport” skuadra është e përbërë nga “lojtarë të shkatërruar”. Nuk kanë mjaftuar as deklaratat e trajnerit se “nuk ekzistojnë garanci për askënd dhe se secili prej elementëve do të jetë në provë”. Ndërkohë “Daily Mail” akuzonte se “pas dy vitesh e gjysmë përgatitjesh, Kapelo e ka futur skuadrën në kaos”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›