E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngacmoi seksualisht të miturat, rrezikon 8 vjet burg

Akuza kërkon dënim maksimal për 50 vjeçarin e arrestuar më 13 tetor 2007

Luan Kondi

Tiranë – Ngjarja e tetorit të vitit të kaluar, kur një 50 vjeçar u denoncua nga fqinji pasi sipas denoncuesit kishte kryer marrëdhënie të turpshme me tri vajzat e mitura dhe mbesën e tij ka mbetur në mendjen e të gjithëve. Policia prangosi Kristaq Lenën, dhe hetimet treguan se ai kishte ngacmuar seksualisht vajzat gjatë kohës kur ato gjendeshin vetëm në shtëpi. Tashmë kur kanë kaluar afro tetë muaj nga ngjarja Prokurori i çështjes do të kërkojë maksimumin që parashikon ligji për një vepër të tillë penale. Duke iu referuar burimeve nga organi i Akuzës, Lena rrezikon 8 vjet heqje lirie. Prokurori i çështjes ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës konkluzionet përfundimtare duke kërkuar shpalljen fajtor të 50 vjeçarit për akuzat e veprave të turpshme dhe shkaktimit të vetëvrasjes, parashikuar nga nenet 108 dhe 99 të Kodit Penal. Akuza duket se i faturon Kristaq Lenës edhe plagosjen e tri motrave dhe vajzës së xhaxhait të tyre dhe shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë ndaj dy prej të miturave. Ato dyshohet se kanë tentuar të presin damarët me qëllim vetëvrasjen nga turpi për veprimet që dyshohet se ka kryer ndaj tyre 50-vjeçari i arrestuar. Lena ra në pranga pas denoncimit të prindërve të vajzave, ndërsa gruaja e tij ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se bashkëshorti kishte konflikt pronësie me babanë e të miturave.
Dëshmitë
Kristaq Lena me banim në Kamzë të Tiranës është arrestuar më 13 tetor të vitit 2007, pasi ishte denoncuar nga fqinji se kishte abuzuar dhe kishte kryer veprime e skena të turpshme me tri vajzat dhe mbesën e tij, përkatësisht 6, 10, 12 dhe 14 vjeç. Tri motrat nga Kamza dhe kushërira e tyre treguan nëntorin e vitit të kaluar në Prokurori abuzimet seksuale që dyshohet se kishte kryer ndaj tyre i njëjti person, 50 – vjeçari Kristaq Lena, fqinji i tyre nga Kamzë. Vajzat kanë pohuar në dëshminë e tyre se Kristaq Lena i kishte zhveshur disa herë brenda në shtëpi, duke u kërkuar të mos u tregonin prindërve. Madje ai iu bënte presion të miturave se po të tregonin babit të tyre ai mund ta vriste dhe të përfundonte në burg. Dy nga vajzat që dyshohet se janë abuzuar seksualisht, njëra 12 vjeçe dhe tjetra 14-vjeçare, kanë treguar se Kristaq Lena kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë me to. Por vajzat janë treguar të zgjuara kanë bërtitur dhe ai ishte trembur dhe larguar me porosinë që të mos u tregonin prindërve. Sipas Prokurorisë së Tiranës, dëshmitë e dhëna nga vajzat përkojnë me njëra-tjetrën në përshkrimet e hollësishme që ato kanë bërë për veprimet e 50-vjeçarit të arrestuar nga Komisariati nr. 5 i policisë së kryeqytetit.
Ekspertiza
Deklarimet e vajzave përputhen edhe me ekspertizën mjeko-ligjore që u është bërë atyre menjëherë pas denoncimit. Në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili është përfshirë në dosjen e prokurorisë. Megjithatë deri tani nuk është vërtetuar se Kristaq Lena ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturat. Organi i Akuzës e ka klasifikuar akuzën e ngritur ndaj Kristaq Lenës vetëm si “veprime të turpshme me të miturit”. Gjatë procesit gjyqësor 50 vjeçari ka mohuar gjithçka. Lena ka pretenduar se prindërit e vajzave kanë dashur të blenë një sipërfaqe toke që është në pronësi të tij. Meqë ai nuk ka pranuar ta shesë atë tokë, ata e kishin paditur. Tashmë fati i Lenës është në duart e togave të zeza, një vendim fajësie i të cilëve mund t’i kushtojë atij 8 vjet burg.

Diplomohen 44 oficerë të rinj në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”

TIRANË – 44 oficerë të rinj, mes të cilëve 24 vajza, janë diplomuar sot në përfundim të kursit pasuniversitar në Universitetin Ushtarak “Skënderbej”. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të tyre, në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Tiranë, vlerësoi punën për përgatitjen intensive të studentëve në auditorët e Universitetit Ushtarak “Skënderbej”, në Brigadën e Stërvitjes Bazë në Bunavi dhe në Shkollën e Trupës si dhe rezultatet e arritura prej tyre në përvetësimin e programit mësimor, që është i standardeve që ofrojnë akademitë dhe shkollat e tjera të larta ushtarake të vendeve të NATO-s. Oketa shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, që u firmos sot në Bruksel. Oficerët e rinj që përfunduan kursin pasuniversitar në Universitetit Ushtarak “Skënderbej”, kanë studiuar në degë të ndryshme (mjekësi, juridik, financë, inxhinieri etj) në universitetet civile të vendit tonë dhe me dëshirën e tyre u pranuan për t’u bërë oficerë të ushtrisë shqiptare. Kursi filloi në shtator të vitit 2007 dhe përfundoi në fund të qershorit 2008. Arsimimi i tyre kaloi në tri faza, faza e parë përbën stërvitjen bazë, e cila u zhvillua në Brigadën e Bunavisë, faza e dytë ishte arsimimi i përgjithshëm, që u zhvillua në auditorët e Universitetit Ushtarak “Skënderbej” dhe stërvitja e specialiteteve, që përbën fazën e tretë, u realizua në Shkollën e Trupës.

Interpol Tirana ekstradon një shtetas, do vuajë 7 vjet burg në atdhe

TIRANË - Gjatë mbrëmjes së të martës, Zyra e Interpol Tiranës kreu ekstradimin nga Italia te një shtetasi shqiptar të dënuar në Shqipëri për tentativë vrasjeje. I ekstraduari Luan Biberaj, 32 vjeç, është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë Tiranë më datë 25 nëntor 2005 me 10 vjet burg e më pas nga Apeli me masë të ndryshuar në 7 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vrasjes me dashje, në bashkëpunim dhe mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Sipas komunikatës së Policisë së Shtetit, Luan Biberaj, në bashkëpunim me Alfred Toskën, kanë plagosur Rukije Kurtsmajlin me anë të një granate të shpërthyer brenda banesës së saj, ngjarje kjo që daton në 6 dhjetor 1999. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën është bërë i mundur arrestimi i Biberajt më 16 prill 2008.

Prokuroria, hetim bashkëpunëtoreve në trafikun e narkotikëve

TIRANË - Zgjerohet rrethi i personave të dyshuar si të implikuar në trafikimin e sasisë prej 13 kilogram drogë, e cila u bllokua afro tre muaj më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmuan të mërkurën për gazetën “Albania” se hetimet për këtë çështje janë përqendruar te zbulimi i personave të tjerë që mendohet se janë pjesë e kësaj linje trafiku narkotikësh nga Shqipëria në Greqi. Grupi hetimor, thanë burimet e mësipërme, ka ngritur dyshime se krahas shtetasit Aleksandros Zeitinidis, 47 vjeç, me banim në Athinë (Greqi), në trafikun e drogës janë përfshirë edhe disa persona, të cilët dyshohen se janë bashkëpunëtorë të tij. Sipas këtyre burimeve, hetuesit janë duke punuar për sqarimin e pozicionit të të dyshuarve në këtë veprimtari ilegale. 47 vjeçari Zeitinidis u arrestua në flagrancë me 13 kilogram drogë (heroinë dhe canabis sativa) në makinën e tij më 7 prill në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Nga të dhënat hetimore rezulton se droga ishte marrë në Tiranë dhe kishte destinacion Athinën.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›