E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëpastrimi i PD-së



Nga Armando META

Hapja e dosjeve duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim. Gjatë këtyre ditëve janë bërë mjaft komente, si për draftet konkrete që janë paraqitur në Kuvend, ashtu edhe për qëndrimet e forcave të ndryshme politike rreth kësaj çështjeje. Pavarësisht seriozitetit që ka lidershipi politik për hapjen e dosjeve, dhe pa hyrë shumë thellë se cilat ishin arsyet se përse kjo temë u hodh në tregun e debatit parlamentar, ajo që është e qartë në gjithë këtë zhvillim është fakti se PD-ja duhet të jetë vetë forca politike, e cila ka nevojë për miratimin e këtij ligji. Hapja e dosjeve është një rast i mirë për vetëpastrimin e kësaj force politike nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Debatet e këtyre ditëve në Kuvend, të mbuluara me një tis të hollë mjegulle duke u kapur pas procedurave, kanë nxjerrë në pah faktin se dilema për hapjen apo jo të dosjeve është brenda PD-së. Draftet e veçanta të PD-së, PS-së dhe PDK-së, apo edhe drafti “Biberaj”, që ishte një përpjekje për të integruar brenda një projektligji tre draftet e sipërpërmendura, kanë hasur në rezistencë brenda kampit të demokratëve. Çështja e dosjeve ka mbërritur në një pikë të tillë sa PD-ja nuk mund të fshihet më pas gishtit. Duke parë të gjithë situatën e krijuar, del se është në vetë interesin e lidershipit politik të PD-së që qetësisht të marrë një vendim të vështirë politik, që të miratojë një ligj për hapjen e dosjeve. Ky ligj duhet të jetë në përputhje jo vetëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, por edhe me Kushtetutën e vendit. Vetë procesi i hapjes së dosjeve do të shërbente më së shumti jo vetëm për pastrimin e administratës së lartë, por edhe të vetë PD-së, që është një nga forcat kryesore politike në vend. Pa hyrë shumë në histori se cilat kanë qenë shkaqet se përse PD-ja, që në mandatin e saj të parë qeverisës, nuk mori vendim për të hapur dosjet, është mëse e qartë se qëllimi kryesor i përpjekjeve për të mbuluar me pluhur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka qenë përdorimi i ceneve të këtyre personave për qëllime të mirëfillta politike, që lidheshin me mbajtjen e pushtetit. Kjo kategori personash është përdorur në mënyrën më të tmerrshme, duke u depersonalizuar akoma më shumë dhe duke u kthyer në shërbëtorë të verbër të krerëve të shtetit. E shkuara si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit i ndiqte nga pas si hije, ndaj kjo kategori personash ka pranuar të përdoret e të poshtërohet. Asnjë, përveç politikanit Preç Zogaj, nuk ka pasur guximin dhe kurajën të deklarojë të shkuarën e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe të tërhiqet nga jeta politike aktive. Duke pasur frikë nga e shkuara e tyre ata kanë pranuar të vijojnë të përdoren aq sa duket se sot ata që i kanë përdorur janë velur duke i përdorur. Rëndom brenda PD-së dëgjohet të lakohen emra bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, për një seri personazhesh që janë pjesë aktive e politikës dhe e qeverisjes së kësaj force politike. Kemi dëgjuar madje edhe Kuvendin që të kumbojë nga pseudonimet. Ka mjaft drejtues të lartë të PD-së, të cilët kanë jo pak informacione për dosjet që kanë persona të ndryshëm brenda radhëve të demokratëve. Këto informacione, PD-ja, si forcë politike, i ka pasur që në vitin 1996, kur vendosi të mos i kandidonte në zgjedhjet e 26 majit bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Për këtë qëllim ajo çoi për verifikim në SHIK të gjithë listën e kandidatëve të saj për deputetë. Edhe pseudonimet që rëndomtë dëgjojmë në Kuvend apo edhe jashtë tij për mjaft politikanë apo drejtues të lartë të PD-së në pozicione kyçe të shtetit, natyrisht që kanë buruar nga shfletimi i këtyre dosjeve. Nisur nga kjo situatë, por edhe për t’i dhënë fund teatrit absurd që është krijuar nga vetë PD-ja në Kuvend sa i përket hapjes së dosjeve, do të ishte më e udhës që kjo forcë politike të merrte një vendim të qartë dhe të prerë politik për hapjen e dosjeve. Më shumë sesa vendit, një vendim i tillë do t’i shërbente vetë PD-së për pastrimin e saj nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Ky vetëpastrim jo vetëm do ta ndihmonte PD-në, por do ta shëndoshte më shumë edhe demokracinë shqiptare, e cila vijon të jetë e shformuar si pasojë e keqpërdorimit ende të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Vetëpastrimi i PD-së do të sillte automatikisht edhe pastrimin e administratës së lartë shtetërore. Vendimi për hapjen e dosjeve është një vendim i vështirë për PD-në. Por ajo duhet ta marrë atë me qëllim që të mos jetë më peng i së shkuarës. Ajo duhet ta marrë këtë vendim me qëllim që t’u kthejë sadopak dinjitet njerëzor edhe atyre bashkëpunëtorëve të Sigurimit, duke mos i keqpërdorur akoma më shumë për interesa të ngushtë të pushtetit.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›