Rruga e vetme, ecja përpara
Zgjedhjet e tanishme evropiane e gjejnë dinamizmin e integrimit më të ulët se kurrë. Progresi i bërë që nga Marrëveshja e Romës nuk mund të neglizhohet, megjithëse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për prospektin e së ardhmes së bllokut.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Evropës Lindore rëndoi problemet ekzistuese dhe shtoi një radhë problemesh të reja. Edhe para nisjes së krizës financiare, ekzistonte një pakënaqësi e qartë publike ndaj drejtimit neo-liberal që kishte marrë Evropa dhe vdekjen graduale të shtetit social, ose, të jem më i saktë, papunësia e lartë, niveli i ulët i rritjes ekonomike, borxhi demokratik dhe mosvullneti i Evropës të emanciponte veten me modelin amerikan.
Këto janë arsyet e refuzimit të Kushtetutës evropiane dhe vala e tanishme e kritikave në drejtim të bllokut. Siç tregojnë edhe sondazhet e Eurobarometrit, shumica e evropianëve mund ta përkrahë integrimin, por ata vazhdojnë të ndihen të larguar nga institucionet e BE. Ajo që shikojmë është më tepër kritikë për legjitimitetin politik sesa euroskepticizëm.
Kriza thjesht rriti shqetësimin e qytetarëve të Evropës dhe shtoi pakënaqësinë publike. Megjithatë, ajo nuk e vuri në dyshim konceptin e integrimit. Arsyeja është se, pavarësisht dallimeve ekzistuese brenda kufijve të saj, Evropa përgjatë viteve ia ka dalë të formojë një sens identiteti të përbashkët dhe një vizion për një të ardhme të përbashkët.
Integrimi evropian mund të arrihet vetëm me konsensus dhe qasje hap pas hapi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që shpejtësia të diktohet nga vendet anëtare më hezituese. Siç janë gjërat tani, Evropa do të përballet me një fund pa krye, nëse nuk ndërmerr një hap të madh përpara. E vetmja rrugë është ecja përpara. Ato vende anëtare që munden dhe janë të gatshme të ecin përpara, duhet të përfitojnë nga potenciali i të ashtuquajturit “bashkëpunim i fuqishëm”. Kjo do të ndihmojë për prerjen e nyjës gordiane, do të krijojë një precedent të ri dhe me zgjerimin do të nxitë një dinamizëm të ri. Eurozona është fakt dhe mund të përdoret si motor për progres.