E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, bizneset ulin fondet e pagave

Nga Fitim Zekthi

Ngadalësimi ekonomik në vend ka bërë që fondi total i pagave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të bjerë nga tremujori në tremujor gjatë gjysmës së dytë të vitit që shkoi dhe tremujorit të parë të këtij viti. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se indeksi i pagave në sektorin e industrisë nxjerrëse ra në tremujorin e tretë të vitit të kaluar me rreth 13 pikë nga ritmi i saj i zakonshëm. Gjatë tremujorit të katërt ky indeks ra përsëri krahasuar me tremujorin e tretë. Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se tremujori i parë i këtij viti në industrinë nxjerrëse ka regjistruar një indeks me rreth 12 pikë përqindjeje me të ulët se sa ai ishte në çerekun e fundit të vitit 2008. Industria përpunuese po ashtu ka regjistruar të dhëna pesimiste për indeksin e fondit të pagave, duke vijuar rënien nga njëri tremujor në tjetrin me rreth 10 pikë përqindjeje në secilin prej tyre. Saktësisht, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ka patur një rënie të ritmit, me të cilin ky sektor ka rritur indeksin e fondit të pagave me 11,5%. Duhet thënë se ekonomia shqiptare ka njohur një rritje konstante prej rreth 6% dhe kjo ka bërë që pa ndalur treguesit ekonomikë të përmirësohen duke përmirësuar edhe fondet e pagave që sektorët e ekonomisë jepnin çdo tremujor. Ngadalësimi ekonomik i vënë re në fundverën e kaluar dhe që vijoi të thellohet që prej asaj kohe ka bërë që fondet e pagave të mos rriten më me ato ritme, përkundrazi të ngadalësohen edhe ato, duke bërë që vendet e punës të mos jenë më atë nivel, por edhe investimet që bën biznesi të mos jenë me ato ritme. Deri më tani, pavarësisht rënies së dukshme të indeksit të fondit të pagave, përsëri ky indeks vijon dinamikën rritëse, e cila krahasuar me vjet sigurisht që është shumë më e ulët. Veç sektorëve të nxjerrjes dhe të përpunimit, sektorë të tjerë që kanë përkeqësuar ritmin e rritjes së indeksit të fondit të pagave janë edhe ndërtimi, shërbimet etj. Ndërtimi, për shembull, ka arritur të regjistrojë i vetëm indeks negativ të fondit të pagave duke e çuar gjatë tremujorit të këtij viti në - 8% krahasuar me atë të tremujorit të katërt të vitit që shkoi. Këtu ka dhënë ndikimin e vet edhe fakti që kemi të bëjmë me nisjen e vitit dhe përfundimin e vitit, ku shpenzimet janë më të mëdha dhe bizneset përpiqen të mbyllin shumë punë. Në tërësi të dhënat zyrtare tregojnë për ngadalësim të dukshëm të indeksit të fondit të pagave, çka do të thotë se bizneset nuk e rrisin më vlerën e fondit të pagave si vitin e shkuar apo edhe më herët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›