Njeriu i madh dhe tri kryeqytetet e vogla
Kryeqyteti i parë
Në teorinë dhe kritikën letrare simbolika e urës është zbërthyer shumë dhe përdorimi i kësaj figure haset te shkrimtarët që merren më shumë me poezi.
Në kuptimin letrar-artistik ura identifikon një bashkim, lidhje fizike dhe shpirtërore të dy palëve për t’i unifikuar vlerat në një tërësi.
Ndërsa politika shpesh e ka dhunuar këtë simbolikë letrare duke i dhënë një konotacion të kundërt kuptimor, por të përputhshëm me realitetin e krijuar.
Ura e Mostarit, e cila në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos përfaqësonte një imazh të rrejshëm të unitetit të vëllazërim-bashkimit, jo vetëm që u shkëput nga kuptimësia letrare, por shihej më shumë si vend ku përplasen popuj më përkatësi etnike, religjioze pak a shumë të ndryshme dhe e luftojnë bashkëjetesën e sajuar dhunshëm pas Luftës së Dytë Botërore.
Paqja që solli marrëveshja e Dejtonit, krijoi një skemë të re të funksionimit të kësaj bashkësie, duke u dhënë tre përbërësve të BH një pavarësi nga njëri-tjetri deri në atë masë sa edhe nuk mund të ndahen përfundimisht.
Vizita e njeriut të dytë të SHBA, Joseph Biden, vërtet ndodhi në një moment mjaft të rëndësishëm duke dhënë mesazh në kryeqytetin e Sarajevës, se të gjithë përbërësit e këtij shtetit duhet t’i heqin dilemat për ndarje.
Ai la të kuptohej se boshnjakët, serbët dhe kroatët duhet ta shohin më shumë sy më sy njëri-tjetrin duke gjetur mënyra të reja të bashkëjetesës dhe unitetit reciprok për të shmangur çdo situatë që kthen procesin në një konflikt të ri.
Kryeqyteti i dytë
Vizita në kryeqytetin e Beogradit është sinjal i ri politik për kreun e qeverisë serbe, se duhet të lëvizë nga pozicioni i status-quo-së dhe një vërejtje serioze që të dilet nga skemat e vjetra të kundërshtimit të realitetit të ri të Ballkanit, rajon ky i cili po pretendon për t’u bërë pjesë e ndryshimeve që korrespondojnë me standardet e Bashkimit Evropian.
Serbia ka nevojë që ta dinamizojë ndryshimin e kursit politik dhe të reflektojë qasje të reja të partneritetit me fqinjët. Që Evropa të ndihet më shumë në Ballkan duhen ndryshuar prioritetet e politikave të vjetruara nacionale, të zëna në investim të madh rreth çështjes së sigurisë së brendshme, duke krijuar pasiguri për të tjerët.
Çështja e sigurisë tani nuk është më krejtësisht në domenin e shteteve nacionale, sepse ajo po shndërrohet në një çështje globale, ku partnerët më seriozë, si SHBA, BE, duke koordinuar aktivitetin në organizatën më të madhe, siç është NATO, kontrollojnë pjesën më të madhe të globit duke i shmangur konfliktet e përmasave lokale të nxitura nga një numër faktorësh destabilizues, arrijnë të ruajnë ekuilibrin e paqes në botë. Kjo është edhe trajektorja më e sigurt e lëvizjes që e imponon rendi i ri botëror me mekanizmat e vet më të sofistikuar.
Biden dhe askush tjetër nuk do të mund të pajtohej assesi me Serbinë, sepse do të shmangej nga logjika politike e zhvillimeve pozitive të proceseve, për të cilat është investuar dhe po bëhet shumë.
Politika serbe duhet t’i vërë një pikë një fraze politike tipike për mentalitetin e politikanëve ballkanas: “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën” duke u nisur nga një pikë e të konceptuarit që imponon kujdes më të madh në përdorimin e fjalës kurrë.
Kryeqyteti i tretë
Prishtina, një kryeqytet i shtetit më të ri në botë në jug të Ballkanit, i dalë nga një proces i vështirë i luftës së koordinuar me faktorët më përgjegjës të sigurisë në krye me SHBA, ishte vendi më i ngrohtë i pritjes së Njeriut të Madh që vizitoi tri kryeqytete të “vogla” të shteteve.
Mesazhi politik i zotit Biden dallonte nga ai që bëri në Sarajevë dhe Beograd. Ky mesazh mbante porosinë jo të ndryshimit të ecjes, por të përshpejtimit të saj, dhe një rikonfirmim të një garancie të sigurisë për paqen, stabilitetin e Kosovës dhe integritetin territorial.