E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngarkesa me 200 kg vetëm një shtetas në qeli

TIRANË- Vetëm një prej 4 të ndaluarve të superaksionit ku u sekuestruan 200 kg kokainë ndodhet ende në qelitë e paraburgimit, ndërsa 3 të tjerët janë lënë të lirë.

Bëhet fjalë për dy shtetas maqedonas dhe një tjetër shqiptar, të cilët pas verifikimeve të bëra nga Prokuroria dhe policia janë lënë të lirë.

Ndërkaq burime pranë Prokurorise së Përgjithshme bëjnë të ditur se po vijojnë hetimet për sasinë rekord prej 200 kg të kokainës të kapur në afërsi të Gjirokastrës.

Zhvillimi i operacionit për bllokimin e lëndës narkotike është bërë në bazë të autorizimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për lejimin e metodave të posaçme të dorëzimit të kontrolluar, bazuar dhe në kërkesën e institucioneve të tjera të huaja homologe.

Prokuroria sqaron se ekzistonin të dhëna për transportimin në territorin shqiptar të një sasie lënde narkotike e llojit kokainë, e nisur nga Kolumbia.

Itinerari që ka ndjekur kjo dërgesë ka qenë Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci- Serbi- Maqedoni- Shqipëri. Sipas informacioneve paraprake 200 kg kokainë ishte tretur në vaj palme. 

(e.m/news24/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Ngarkesa me 200 kile kokainë vazhdojnë hetimet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›