Ngatërroi sodën me helm bimësh, helmohet familja
Fatime Skënderi, 72-vjeç ngatërroi sodën e bukës me helmin e portokalleve: Shpëtuam për fat
Fier-Pakujdesia gjatë gatimit të një kulaçi, zënë me pesticid bimësh në vend të sodës së bukës, rrezikoi seriozisht jetën e një familjeje në Libofshë të Fierit. Katër anëtarët e familjes Skënderaj përfunduan në spitalin e Fierit me simptomat tipike të një helmimi të rëndë, pas konsumit të kulaçit, gatuar nga gjyshja e shtëpisë. Për fat, pas ndërhyrjes mjekësore të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por të detyruar të qëndrojnë edhe ca ditë në spital për t'u mbajtur nën trajtim.
Ngjarja
Ka qenë darkë, kur Fatime Skënderi, gjyshja e shtëpisë, pas kërkesës së nipërve vendosi të bënte një kulaç. Ai, sipas gruas 72-vjeçare do të bëhej në formën e përsheshit me pulë, gatim tradicional i zonës, por që nuk u arrit të përfundohej. Dy nipërit binjakë, provuan nga një copë të vogël fill pasi ishte pjekur, po ashtu vetë gjyshja dhe djali i saj i madh, Flamuri. Reagimi i organizmit qe i menjëhershëm. Kanë mjaftuar vetëm 10 minuta që sasia e pesticidit hedhur brenda miellit dhe gatuar të jepte efektin. Këputje, të vjella dhe gjendje e rënduar për gjithë ata që provuan kulaçin. Nga helmimi shpëtoi vetëm nusja, e cila duke u marrë me punë të tjera, i shpëtoi «tundimit» për të shijuar kulaçin e ngrohtë. Rreth orës 22.30 të natës së të hënës, të katër pjesëtarët, Fatimeja,djali i saj Flamur Skënderaj, 52-vjec dhe dy fëmijët Marius dhe Maria, binjakë të moshës 11-vjeç mbërritën në urgjencën e spitalit në gjendje të rëndë.
Gjyshja: Ngatërrova sodën
Ndodhet në shtratin e spitalit në gjendje të këputur, por pranon se është mirë dhe për fat të gjithë kanë shpëtuar. «Nipërit më kërkuan një përshesh me pulë. Binjakët janë dobësia ime dhe shumë të dhënë pas meje, ndaj vendosa t'ua plotësoja dëshirën »- nis e tregon e moshuara. Nuk di të shpjegojë as vetë se si arriti të ngatërronte sodën e bukës me helmin. Sipas saj, ndërkohë që kishte hedhur sasinë e miellit shkon në frigorifer të marrë sodën e bukës. «Zgjata dorën brenda, por duket se ngatërrova sodën me helmin, që nuk e di pse ndodhej në frigorifer»,- thotë ajo, duke shtuar se para disa ditësh, djali saj, Flamuri kishte spërkatur pemët me preparat helmues. Por, ajo kishte dëgjuar që helmi do të vendosej në ndonjë vend të sigurt, gjë që nuk ka ndodhur. Kështu e ka përgatitur brumin, ka pjekur kulaçin dhe ndërkohë që përgatiste përsheshin e ka provuar. Nepsit nuk i kanë shpëtuar dy binjakët 11-vjeçarë, të cilëve u ka dhënë nga një copë e po ashtu edhe djalit të madh, Flamurit. «Pas 10 minutash pashë që djali u ul menjëherë në divan. E pyeta se çfarë kishte, mu përgjigj se iu morën mëndtë. Ai ishte shumë i zbehtë në fytyrë »- tregon ajo. Në këtë moment ka ndjerë edhe vetë të njëjtat shqetësime dhe në këtë gjendje i ka gjetur nusja. Në divan kanë qenë në gjendje të fikëti dy fëmijët e vegjël. Më pas të katërt nisën të vjellat.
Ndihma
Kanë qenë me fat, që nusja e shtëpisë ishte në formë dhe e gatshme t'iu vinte në ndihmë. Mësohet se ajo është ndjerë e befasuar kur i ka parë të gjithë të këputur të shtrirë në divanë e krejt të zbehtë në fytyrë. Sipas rrëfimit të familjarëve, ata ankoheshin se ishin të sëmurë dhe që në fillim kanë përcaktuar se problemet shëndetësore i erdhën pas ngrënies së kulaçit. Duke e parë gjendjen kritike, nusja ka kërkuar ndihmë tek fqinjët. Me anë të një makine janë dërguar të gjithë në spital, në gjendje të rëndë. «Mbërritën me shenja të rënda intoksikacioni, të vjella, këputje dhe tension të ulët»- thotë mjeku Kilo Stoja. Sipas tij, vetëm pas 4 orë trajtim intensiv gjendja e tyre shënoi përmirësim. «Aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që dy fëmijët gjithashtu të përmirësuar, janë shtruar në repartin e pediatrisë»-sqaron mjeku. Analizat e bëra kanë përcaktuar edhe shkakun e helmimit, pesticidin bujqësor, që për fat nuk shënoi viktima.