Unë mësoj shqip
Rastësia i ka puqur të gjithë tok, në një kurs të përbashkët, me mijëra kilometra larg atdheut të origjinës, për të mësuar një nga gjuhët e cilësuara si ndër më të vështirat në glob. Ndërsa të rinjtë shqiptarë mundohen të gjejnë rrugë të ndryshme për të çarë në shkollat perëndimore, studentët për të cilët do shkruajmë sot, kanë zgjedhur t'i përkushtohen seriozisht mësimit të gjuhës shqipe, në katedrën me po të njëjtin emër në Fakultetin Filologjik në Tiranë. Ana, për shembull, ka udhëtuar nga Lillehammeri i largët i Norvegjisë së ftohtë nordike. Enrique, nga Brazili. Elizabeth dhe Shena, nga Arizona me mot të nxehtë, e njohur për më tepër për kaubojsat dhe fermat e shumta. Kemal Hazar ka mbërritur nga Turqia, ndërsa Shon, kështu i thonë për më rehat shokët, nga Kina e madhe me 2 miliardë e kusur banorë.
Larg problemeve politike që shqetësojnë sot globin, ata janë të gjithë aty, të ulur në krah të njëri-tjetrit, pa dallim race apo kombësie, me qëllimin e vetëm, për të mësuar diçka më shumë mbi kulturën dhe gjuhën e një prej popujve më të lashtë që rrojnë në viset e Ballkanit.
****
Sot, Ana, Shon, Kemal Hazar dhe shokët e tjerë të kursit, do mësojnë përdorimin e përemrave dëftorë. Albana, pedagogia e Gjuhës Shqipe, nuk është se e ka shumë të vështirë komunikimin me studentët e huaj. Pas 8 muajsh kurs intensive, ata janë tani në gjendje të kuptojnë, fare mirë, gjithçka që pedagogia e tyre mundohet t'u shpjegojë. Pedagoge Albana mundohet ta lidhë përgjithësisht leksionin me fenomenet e jetës së përditshme shqiptare, kjo edhe për t'ua bërë sa më të lehtë mësimin e gjuhës shqipe, studentëve të pranishëm në auditor. Ajo i pyet studentët për gjithçka që u ndodh gjatë ditës. I pyet për ushqimin, për veshjet, për njerëzit që takojnë në rrugë, për lajmet që ndjekin në televizor, për gjithçka.
Më të vështirë për të kuptuar qëllimin e përdorimit të përemrave dëftorë duket se e ka Enrikue, i cili është edhe më shakaxhiu i kursit. Ai mundohet gjatë gjithë kohës të ngacmojë me fjalë Shonin, çka e bën ndonjëherë të humbasë edhe fillin e leksionit. Më të sigurta në përgjigje duken vajzat, për të cilat pedagoge Albana thotë se janë më të mirat e kursit. "Ky është një nga kurset e shumta të studentëve të huaj, që vijnë në fakultetin tonë për të mësuar gjuhën shqipe. Studentët, janë të kombësive të ndryshme, dhe përgjithësisht orientohen për të mësuar gjuhën ose nga ambasadat e vendeve të tyre, ose nga organizata të ndryshme që veprojnë në Shqipëri".
Në këtë mënyrë, për shembull, ka mbërritur në Shqipëri edhe braziliani Enrikue. Ai thotë se ishte i vogël, kur lexonte në librat e historisë për Shqipërinë ateiste, ku besimi në Zot ishte i ndaluar rreptësisht. Kishte shumë dëshirë ta vizitonte vendin tonë, dhe në momentin që i erdhi rasti në derë, nuk i bëri bisht ftesës për ta parë nga afër këtë vend. Si besimtar i devotshëm që është, Enrikue pranoi të bëhej pjesë e projektit në ndihmë të Bathores, që kishte ndërmarrë një shoqatë katolike në vendin e tij. Me vete ai mori gruan dhe vajzën e vogël, Emanuelën, i cila sot është 9 vjeç. Por fillimet, siç thotë edhe vetë, ishin shumë të vështira. Enrikue kishte shumë vështirësi në komunikim. "Oh, ka qenë shumë e vështirë! Kur më thoshin mua "nejse", unë kujtoja se më thoshin "nesër". Nuk kuptoja". Të gjitha sa janë në kurs, gajasen me keqkuptimet që has braziliani në të folurën e përditshme. Kështu, Enrique, pa ç'pa u detyrua të futet në kursin e gjuhës shqipe. Tashmë pas disa muajsh, ai arrin të kuptojë qartë folësit, megjithëse duhet thënë se has ende probleme, sidomos në kuptimin e zhargonit të përditshëm. Pedagoge Albana na thotë se mund të duket pak e çuditshme por në të shkruar, studentët e huaj janë ndonjëherë më mirë se edhe studentët vendas që studiojnë në degën e Gjuhë-Letërsisë. "Këta mund të kenë probleme në të kuptuarit e zhargonit, por ama fjalët ose strukturën e formulimit të fjalisë, në të shumtën e rasteve e shkruajnë edhe më mirë se studentët shqiptarë".
Disi më ndryshe, ka mbërritur në Shqipëri Ana nga Norvegjia. Vite më parë biondja simpatike u lidh me një djalë shqiptar nga Maqedonia. Lidhja e tyre ishte aq e fortë, sa Ana nuk ngurroi të shtegtonte nga brigjet e ftohta nordike, në drejtim të viseve me mot të nxehtë ballkanase. Historia e vajzës me djalin shqiptar nga Maqedonia, nuk ishte e thënë që të zgjaste përjetësisht. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi Anën t'i përkushtohej me zell mësimit të gjuhës shqipe, si për të treguar se një pjesë e shpirtit të saj, kudo që të ndodhet, do të mbetet në tokën ku lidhi dashurinë e parë. "Kontakti i parë më gjuhën shqipe ka qenë 7 vite më parë, kur u njoha në Norvegji me një djalë nga Maqedonia. Në përgjithësi jam shumë e interesuar për gjuhët. Në fillim ishte shumë e vështirë pasi struktura e gjuhës ndryshon. Shqipja ka shumë gramatikë dhe rasa, ndryshe nga gjuha norvegjeze". Ana thotë se ka ditë që ndjehet shumë keq. Kjo ndodh kur nuk arrin të komunikojë si duhet me njerëzit. Ajo ka 7 muaj që qëndron në Shqipëri, ndërkohë që thotë se me gjithë dëshirën e madhe që ka për të mësuar deri në fund gjuhën shqipe, ende nuk e di nëse do të kthehet më pas pushimeve në fakultet për të ndjekur leksionet.
"Përgjithësisht, në mëngjes vij në shkollë, pastaj zakonisht shkojmë të hamë drekë bashkë me Elisabetën dhe Shenën. Pas drekës rri në shtëpi, ndërsa dal për kafe ku ka internet. Dy herë në javë luajmë Fresby nga liqeni me shokët. Po kështu, shkoj dy herë në javë në palestër me Elisabetën. Unë do jem në Shqipëri edhe për një muaj. Do largohem nga Shqipëria të paktën për muajt e verës. Nuk e di nëse do kthehem. Kam dëshirë ta mësoj të gjithë gjuhën shqipe pasi 8 muaj nuk mjaftojnë". Anës i pëlqen shumë Shqipëria dhe banorët e saj, të cilët i konsideron si mikpritës. Thotë se i pëlqejnë fasulet dhe byreku me djathë, ndërkohë që nuk i pëlqen fare tava e kosit, të cilën ende nuk e shqipton mirë. Këtu studentja gjen kundërshtimin e Enrikues, i cili kur kujton tavën e kosit, fërkon barkun për të thënë se nuk ka gjë më të shijshme. "Oh, dhalla, kos me kripë, oh shumë e mirë! E pimë para se të flemë gjumë". Mjafton një batutë e brazilianit dhe kursi ia plas sërish të qeshurës. Shqipja që ata flasin, të bën me të vërtetë të vesh buzën në gaz. Shoni, nuk arrin ende t'i formulojë si duhet fjalitë. Ai vdes për këngëtaren Poni, aq sa i çudit të gjithë në kurs me guston që ka. "Unë, kur isha në shkollë në Kinë, kam lexuar shumë histori të Kinës dhe të Shqipërisë. Më përpara ne kishim mik shumë afër. Pastaj më lindi në mendje si është Shqipëria. Unë mbarova Fakultetin Ekonomik në Marketing në Shi Hang. Babai im ka njohur një mik shqiptar. Pastaj unë dua të hapi sytë". Shon, ashtu si shumë bashkatdhetarë të tij, ka pasur mundësi ta njohë Shqipërinë edhe nëpërmjet filmave. Ai nuk e mban mend mirë titullin e filmit, por thotë se kur ishte në Kinë, ka parë njëherë film me dy partizane, që nuk ua treguan kurrë, me gjithë torturat e gjermanëve, vendin ku fshihej shoqja e tyre e plagosur. Ky virtyt i partizaneve të filmit i ka mbetur në mendje Shonit, aq sa i konsideron të gjithë shqiptarët si njerëz bujarë dhe besnikë. Më i turpshëm duket të jetë studenti 20-vjeçar turk, Kemal Hazar. Ai qëndron i strukur në qoshe të auditorit dhe dëgjon me vëmendje kolegët. Pedagoge Albana thotë me të qeshur se me Hazarin ka probleme "të thella" politike. "Me Hazarin grindem më shumë për çështje politike. Për shembull, Hazari thotë se Skënderbeu, nuk është figurë e mirë historike, pasi Turqia e rriti e i dha bukë, kurse ai më pas e luftoi, ndërsa unë e kundërshtoj, duke i thënë se ai ka luftuar për vendin e tij". Këto biseda janë momentet më të mira për të zhvilluar oratoritë e studentëve të huaj. Elisabeth dhe sidomos Shena, e kanë marrë me seriozisht mësimin e gjuhës shqipe. Shena, madje, ndjek edhe kurset e Historisë në fakultet.
"Shena dhe unë kemi porosi shteti për të mësuar një gjuhë kritike. Përpara se të vija në Shqipëri kam qenë edhe në Bosnjë, Kroaci. Mua më pëlqen shumë natyra ballkanase, dhe mendoj që do kthehem sërish në Shqipëri". Elisabet thotë se është shpirt i lirë, që i pëlqen të udhëtojë shumë. Të njëjtën gjë thotë edhe Shena, ndërsa ditët e qëndrimit në Shqipëri numërohen me gishta. Kursi është drejt përfundimit dhe studentëve u duhet të kthehen në vendet nga kanë ardhur. Të gjithë do të marrin me vete certifikatën e kualifikimit, por më shumë se një copë kartë të firmosur nga titullari i kursit, ata thonë se do të çojnë në vendet nga vijnë, përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe njerëzit e saj.