Trafiku i armëve në Kosovë, pranga 5 personave
Fishekët që po kalonin nga një makinë me targa shqiptare në një me targa KS ishin të repartit të Burrelit
BURREL- Bashkëpunimi i Policisë Kriminale të Kosovës me Krimet e Rënda shqiptare kanë çuar në pranga 5 persona, të akuzuar për trafik municionesh e armësh nga Shqipëria për në Kosovë. Sipas burimeve mendohej se qendra e përpunimit të këtij "malli" të kundërligjshëm ka qenë qyteti i Burrelit, ku dhe armatimet e municionet në vitin 1997 nga hapja e depove kanë qenë me shumicë. Ali Peci e Arben Deka nga Kosova, si dhe shtetasit shqiptarë Naim e Behar Dungu dhe Shaban Sulmeta janë të arrestuarit e djeshëm. Mësohet se Naim Dungu ka qenë në profesion polic, ndërsa Shaban Sulmeta, magazinier i Repartit Ushtarak në Burrel.
***
Gjithçka është realizuar në kuadër të operacionit antitrafik tëi koduar "Dungu". Operacioni është mbajtur në fshehtësi nga policia e Krimeve të Rënda në Tiranë, të cilët për pesë ditë kanë vrojtuar e mbajtur nën mbikëqyrje tërë skemën dhe njerëzit që merreshin me organizimin dhe ekzekutimin e këtij trafiku të paligjshëm. Për këtë ishin piketuar 5 persona që dyshohej se merreshin me trafikimin e armëve për në Kosovë, në mes të cilëve 2 kosovarë. Kësisoj agjentë të antitrafikut ishin stacionuar prej 5 ditësh në qytetin e Burrelit dhe kanë hetuar gjatë gjithë kësaj kohe lëvizjet e të dyshuarve si nëpër lokale apo shtëpi e vende të ndryshme. Pas kontrollesh të shumta dhe mbikëqyrje nën operacionin "top secret" edhe për uniformat blu vendore, antitrafiku i Tiranës ka kapur në flagrancë 3 shtetasit shqiptarë dhe 2 kosovarë, që po manipulonin mallin për trafikim, mbi 7000 fishekë luftarakë të marrë nga magazinat e repartit ushtarak të Burrelit.
***
Materiali, sipas hetimeve paraprake, kalohej i paketuar nga njëra makinë me targë shqiptare në tjetrën me targa të Kosovës. Pikërisht ky ka qenë dhe momenti kur kanë ndërhyrë agjentët e antitrafikut duke i kapur të pestë trafikuesit në flagrancë. Nga burime policore mësohet se ky trafik ishte sinjalizuar me kohë ndaj dhe policia antitrafik e Tiranës kishte nën vëzhgim gjithçka. "Nën pranga kanë përfunduar shtetasit Ali Peci e Arben Deka nga Kosova, si dhe shtetasit shqiptarë Naim e Behar Dungu si dhe Shaban Sulmeta",- thanë burimet policore. Të gjithë këta persona, sipas të njëjtit burim, u kapën duke paketuar sasinë e madhe të fishekëve të përgatitur për trafik në drejtim të Kosovës.
Nga burime policore mësohet se Naim Dungu ka qenë në profesion polic, ndërsaShaban Sulmeta, magazinier i Repartit Ushtarak në Burrel. Por nuk bëhet e ditur nëse municioni dhe armët janë marrë nga magazinat aktuale, apo janë ruajtur prej kohësh nga poseduesit e paligjshëm për t'i shitur ato në një moment oportun.
Gjithashtu mësohet se agjentët antitrafik të Tiranës kanë sekuestruar dhe armë të destinuara për në Kosovë ashtu si dhe fishekët. Por nuk bëhet e ditur nëse është gjetur apo jo mall tjetër i paligjshëm. Pas arrestimit të 5 personat janë dërguar në Tiranë për të zbardhur më tej këtë trafik të paligjshëm. Ndërsa nga burime të rezervuara policore bëhet e ditur se në këtë rrjet trafiku që kishte kohë që mirë funksiononte mund të jenë të përfshirë dhe persona të tjerë, madje dhe brenda radhëve të policisë së Burrelit.