Hajdutë me kulturë
TIRANË - Tre persona u kapën nga policia, pasi ndihmonin njëri-tjetrin për të vjedhur revista, që më pas i shisnin kundrejt një çmimi më të lartë. Ditën e djeshme, seksioni i Luftës Kundër Vjedhjeve të Tjera ndaloi Shpëtim Seferin, 35 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, Gëzim Dautin, 47 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, si dhe bashkëshorten e tij. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se shkak për ndalim e tyre ishte dyshimi për vjedhjen e disa revistave në një firmë private. Po sipas burimeve, bëhet e ditur se gruaja e Dautit, me detyrë punonjëse pranë firmës së revistave “Adrio”, i vidhte ato, e ndihmuar nga burri i saj. E më pas revistat i kalonin Seferit, i cili në periudha të ndryshme kohore i blinte nga “shitësit” e tij besnikë, e më pas i shiste në treg të zi. Tre të ndaluarit akuzohen për konsumim të veprës penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.