Më në fund një
TIRANË - Më në fund ia dolën për një “bravo” uniformat tona blu, në luftën kundër lëndëve narkotike, për të cilën jemi treguar me vite të tëra “me gisht”. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, kryekomisar Ahmet Prençi, bëri dje publike shifrat e arritjeve në luftën kudër drogës. Sipas Prençit, gjatë një takimi të organizuar në datën 21 shkurt, policia evropiane, Europol, përgëzoi për punën e bërë nga policia e vendit tonë në luftën kundër trafiqeve, kryesisht drogës, armëve e qenieve njerëzore. Shifrat e policisë shqiptare kësaj radhe duket se ishin dhe më lart se ato të policisë italiane për sa i përket sasive të lëndëve narkotike të kapura. Ndër operacionet më të suksesshme janë operacioni “Harem”, në muajin dhjetor 2005, gjatë të cilit pati 85 të arrestuar, 300 kg drogë e sekuestruar dhe 4 automatikë kallashnikov e municion. Në përfundim të këtij operacioni u provuan dhe u dokumentuan lidhjet e grupeve kriminale nga Shqipëria me mafien kalabreze. Në korrik të vitit 2006 u realizuan tre operacione: “Karaburun”, “Vjosa” dhe “Eagle”, të cilët bënë të mundur lokalizimin dhe çmontimin e 4 laboratorëve klandestinë të substancave narkotike e të përzierësve paracetamol e kafetinë, të përdorura nga një komponent kosovar i krimit të organizuar ndërkombëtar. Hetimi ka përfshirë një territor të shtrirë në tre shtete, duke aktivizuar në bashkëpunim edhe policinë gjermane. Hetimet e policisë gjermane kanë dokumentuar se kjo organizatë kriminale trafikantësh kishte arritur të transportonte, përpunonte e tregtonte 50.800 kg substancash narkotike e përzierësish gjatë viteve 2004-2006 në disa shtete të Evropës. E ndërsa nga pala italiane janë arrestuar 26 persona, 1102 kg marihuanë, 9.6 kg heroinë, 1 kg kokainë, përzierës 2.225 kg dhe 2 skafe të sekuestruar, ndërsa nga pala jonë janë arrestuar 57 persona, 2384 marihuanë e sekuestruar, heroinë 54.5 kg, kokainë 759 gramë, përzierës 1.922 kg, 4 skafe të sekuestruar dhe 2 pistoleta, pothuajse dyfish më tepër. E.Elezi