E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec Kodi. Drejtorët kandidatë, PS e PD pa zgjidhje

10/02/2012  Mazhoranca dhe opozita nuk po arrijnë dot të gjejnë konsensusin mes tyre për të zgjidhur problemin e regjistrimit të kandidatëve. Kjo ka sjellë bllokimin e punimeve për realizimin e reformës zgjedhore, e cila ka ngecur pikërisht te ky akt. Nga ana e saj Partia Socialiste këmbëngul te kërkesa që ka të bëjë me detyrimin e të gjithë drejtorëve të administratës publike të japin dorëheqjen para se të kandidojnë për deputetë. Por për mazhorancën ky propozim përbën një shkelje kushtetuese. Në një prononcim të dhënë dje për mediet bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, konfirmoi ngecjen e punës së komisionit. “Ka pasur ngecje në disa çështje që kanë të bëjnë me kandidimin e zyrtarëve të lartë, gjë që kërkohet nga Kushtetuta dhe ka qenë një nga problematikat e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për zgjedhje. Jemi duke shqyrtuar kapitullin për fushatën zgjedhore, ku një vend të veçantë zënë dhe reklamat qeveritare, që dhe ato kërkojnë një kufizim”, – theksoi Gjiknuri.

Gjithashtu ai shtoi se Partia Socialiste mbetet e hapur për të ndërhyrë në sistem, por kjo kushtëzohet nga PD-ja. “Sistemi është një çështje që mbetet e hapur për t’u parë. Por e kam thënë se kërkohet një konsensus i gjerë brenda tryezës së reformës, po dhe partitë jashtë reformës”, – u shpreh dje Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Një tjetër nen i Kodit për të cilin nuk është arritur mirëkuptimi është dhe ai i kufizimit të kryetarëve të partive të vogla të garojnë në shumë lista njëkohësisht. Fatmir Mediu i republikanëve, i cili ka dhe një votë në Komisionin e Reformës, e sheh këtë si artificë të dy të mëdhenjve për të mbajtur larg Kuvend të vegjlit. “Ka të bëjë gjithmonë me një koncept për të shmangur çdo lloj mundësie të përfaqësimit në Kuvend të partive. Pa dyshim nxirret në pretekst OSBE–ODIHR-i. Shtrembërimet që mban në thelb vetë mënyra e formulës së përllogaritjes së mandateve të deputetëve apo dhe organizimet e funksionimit të fushatës zgjedhore janë probleme të mëdha, që duhen konsideruar dhe, për fatin e keq, nuk ka vullnet për ta konsideruar atë. Unë mendoj se ka ardhur koha që subjektet politike, sidomos partitë që janë pjesë e reformës zgjedhore jashtë PD-së dhe PS-së, duhet të marrin qëndrimet e tyre se ç’duhet të bëjnë. Absolutisht nuk mendoj se duhet të jemi fasadë”, - tha Fatmir Mediu, kryetar i PR-së. Komisioni i Reformës Zgjedhore deri tani ka miratuar me konsensus mes palëve dy kapitujt e parë të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që shumë të tjerë janë gati në pritje të shqyrtimit.

Debati për kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje

Në mbledhjen e 2 shkurtit të Komisionit për Reformën Zgjedhore u shfaqën përplasjet e para mes PD-së dhe PS-së. Molla e sherrit është bërë dorëheqja e zyrtarëve shtetërorë që kandidojnë në zgjedhje. Socialistët, të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, kanë kërkuar vendosjen e një standardi ligjor, ku të saktësohet se zyrtarët që kandidojnë në zgjedhje duhet të largohen nga posti përpara nisjes së fushatës. Por demokratët e kanë kundërshtuar këtë ndryshim dhe kanë vendosur veton. Megjithëse palët po punojnë sipas draftit të propozuar nga OSBE–ODHIR-i, demokratët kërkojnë heqjen e disa shtesave të miratuara nga ndërkombëtarët, ndërsa socialistët kërkojnë miratimin e tyre sipas rekomandimeve.

Kandidatët e pavarur

Një ndryshim që do të bëhet në kodin e ri elektoral pritet t’u ofrojë lehtësi kandidatëve të pavarur që të regjistrohen në garën për zgjedhje. Në nenin 69 të Kodit Zgjedhor është parashikuar që kandidatët e pavarur të paraqesin 1 për qind të firmave të listës së zgjedhësve, por në çdo rast nuk duhet të paraqesë më shumë se 3000 të tilla.

Mbledhja e firmave

Për regjistrimin e kandidatëve nuk do të bëhet më depozitimi individual i nënshkrimeve për mbështetjen e kandidatëve, por në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore ato do të dorëzohen në KZAZ. Nënshkrimet do të shoqërohen me të dhëna të plotë të zgjedhësit dhe për të gjithë ata që firmosin nuk do të jetë më e nevojshme që të depozitojnë fotokopje të letërnjoftimeve.

Regjistrimi i partive

Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si objekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, ndërkohë që më parë ky rregull ishte 60 ditë. Nëse në zgjedhjet e kaluara partitë ose koalicionet dorëzonin listën e tyre 40 ditë përpara zgjedhjeve, me ndryshimet e reja duhet t’i paraqesin listat 50 ditë përpara zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›