E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec marrëveshja, shqiptarëve u kërkohet viza

 

TIRANE – Ngec sërish marrëveshja e liberalizimit të vizave me Maqedoninë. Pas shumë shtyrjesh të hyrjes në fuqi të saj, Ministria e Jashtme Shqiptare njoftoi se më 3 shtator do të vihej në zbatim ajo, por shtetasit tanë nuk janë lejuar të kalojnë kufirin. Ditën e djeshme, shumë udhëtarë, mes të cilëve dhe biznesmenë janë penguar nga autoritetet doganore, si shqiptare dhe ato maqedonase në pikën kufitare të Qafë-Thanës apo në atë të Bllatës. Askush nuk është lejuar që të kalojë kufirin pa dorëzuar më parë pasaportën me vizë. Sipas udhëtarëve që ndodheshin dje në pikën kufitare të Qafë-Thanës, në doganë u është pohuar se pavarësisht deklarimeve në media, zyrtarisht atyre nuk u ka mbërritur urdhëresa, në bazë të së cilës të lejojnë lëvizjen e lirshme në kufi. Më datë 2 shtator, Ministria e Jashtme deklaroi se erdhi koha që shtetasit e dy vendeve të përjashtohen nga detyrimi i vizave, falë marrëveshjes së ligjëruar dhe në parlamentin maqedonas që më 27 gusht 2008. “Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë shtetasit që janë mbajtës të pasaportave të zakonshme, të shërbimit dhe diplomatike dhe dëshirojnë të hyjnë, tranzitojnë ose qëndrojnë në territorin e secilit vend”, citohet në deklaratë. Madje, sipas Ministrisë së Jashtme, lëvizja ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera, duke lënë të ditur se përjashtohet dhe deklarimi për sigurimin e jetës në kufi. Burime jozyrtare nga dogana e Qafë-Thanës thanë dje për gazetën se pritet që javën e ardhshme të nisë zbatimi i marrëveshjes. Në bazë të ligjit, Ministria e Jashtme ka njoftuar Ministrinë e Brendshme për marrjen e masave për zbatimin e tij. Por, duket se moskoordinimi i shpejtë i punës ka shkaktuar dhe nisjen e kotë të udhëtarëve, të papërgatitur për këtë “suprizë” të radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›