Zihen për radhën, firmat e gazit pezullojnë punën e portit
VLORE - Përpunimi i anijeve të gazit në portin e Vlorës u bllokua për disa orë mbrëmjen e së martës pas një sherri të pronarëve të firmave për radhën. Policia njoftoi se shkak i kësaj amullie në port u bë një konflikt mes dy firmave të gazit, një e qytetit të Vlorës dhe një tjetër e Fierit. Ngjarja u shënua kur dy automjetet e firmës “Kalaja Gas” bllokuan dy peshoret, një e doganës dhe tjetra e portit. Sipas burimeve portale, përfaqësuesit e dy firmave kanë debatuar me njëri-tjetrin për radhën. Punonjësit e doganës i kanë kërkuar firmës që kishte bllokuar peshoret që t’i largonte ato. Por kur kanë hasur në rezistencën e tyre, ata kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit arrestoi dy përfaqësuesit e firmës, të cilët lanë me orë të tëra pezull përpunimin e anijeve. Sipas përfaqësuesve të firmës që bllokoi peshoren, veprimi i bllokimit u ndërmor në shenjë proteste. Fatos Ruka, magazinier i firmës, pohoi se anija që kishte gazin e “Kalaja Gas” që prej një jave qëndronte në pritje të ankorimit për t’u shkarkuar. Gjatë kësaj kohe ata kishin mbyllur të gjitha procedurat e zhdoganimet dhe kishte ngelur vetëm shkarkimi. Por, sipas tij, firma fierake ishte futur jashtë radhe. Pas kësaj ngjarje, policia bëri të ditur se ka arrestuar dy prej përfaqësuesve të firmës “Kalaja Gas”. “Pëllumb Broka, 51 vjeç dhe Arben Salia, 42 vjeç, kundërshtuan autoritetet doganore dhe policinë duke bllokuar me mjetet e tyre autobot, me targa Vl 8970 B dhe Vl 37 03 C, dy peshoret e portit”, bëri të ditur policia. q.b