E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngec reforma parlamentare, Dokle: Të rinis puna

Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mos mbylljen e kësaj reforme, ndërsa janë mbledhur sërish për të diskutuar, megjithëse ende pa rezultat. Bashkëkryetari i komisionit, socialisti, Namik Dokle, thotë se palët duhet të rinisin punën për ta përmbyllur edhe këtë reformë.

"Fryma që kërkohet të dominojë në politikën shqiptare, fryma e reformave që kërkohet nga BE dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që të jetë një kambanë e fortë edhe për mazhorancën në mënyrë që të ulemi dhe ta përfundojmë edhe këtë reformë. Reforma parlamentare në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga reforma zgjedhore, që është një reformë prioritare për sa i përket veprimit të Parlamentit", deklaron Dokle.

Demokratët thonë se reforma është përmbyllur me mbylljen e punës së këtij komisioni, por socialistët nuk e kanë pranuar këtë. Ndryshimet duhet të miratohen me shumicë të cilësuar dhe brenda këtij sesioni parlamentar. "Kanë mbetur ato dy pika që ju i dini: votimi i fshehtë dhe e drejta e fjalës së opozitës në Parlament, në bazë të gjitha kritereve, parime dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Mazhoranca ende nuk ka dhënë konsensus për këtë", sqaron Dokle.

Reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore nuk është përmbyllur ende, pavarësisht se janë tejkaluar të gjitha afatet. Mazhoranca e quan të përmbyllur reformën parlamentare, por dokumenti nuk është dërguar asnjëherë në komisionin e Ligjeve dhe më pas në Parlament, pasi nuk është firmosur nga deputetët e opozitës. /Start/

                                                                                             2012-06-15 15:39
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›