E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecin hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi

Ngecin hetimet për vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Pas më shumë se 12 ditësh pune intensive, grupi hetimor i ngritur për ngjarjen nuk ka mundur të gjejë një motiv të qartë të vrasjes dhe nuk ka ende asnjë të dyshuar si autor të saj. As provat në vendin e ngjarjes dhe as qindra dëshmi të mbledhura në këto ditë nuk kanë hedhur dritë mbi vrasjen e ndodhur më 2 maj të këtij viti në Roskovec, ku banonte deputeti Xhindi. Pakoja e aspirinave dhe qesja e gjetur pranë saj rezultuan pa gjurmë, ndërkohë që gëzhojat në vendin e ngjarjes zbuluan vetëm se u qëllua me armë automatike kallashnikov. Madje, autori i vrasjes, sipas grupit të hetimit, mendohet të ketë qëlluar dy herë. Ai ka bërë një ndalesë mes dy breshërimave dhe konfirmohet se ka kryer qitje nga afër për t‘u siguruar që deputeti kishte vdekur. Java e kaluar u mbyll për grupin e hetimit me dyshime të shumta për pronat, ndërkohë që java e re, jo vetëm që ka rrëzuar këto dyshime, por e ka bërë më të paqartë punën. Prej dy ditësh, me këtë ngjarje, po merret vetëm Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, si dhe një prokuror i Krimeve të Rënda. Konfirmohet zyrtarisht se për çdo të re raportohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe udhëzimet e saj çojnë Policinë e Fierit drejt një veprimi. Kjo gjendje duket se do të vazhdojë edhe për pak ditë, deri sa të merret vendimi i dërgimit të kësaj dosjeje në radhën e ngjarjeve të pazbardhura. Më shumë se 300 dëshmive të siguruara ditët e para pas vrasjes iu bë edhe një herë konfirmimi dhe në asnjë rast prej tyre nuk u arrit të gjendej ndonjë fakt komprometues. Të gjitha dëshmitë e siguruara nga të afërm, miq, shokë dhe të njohur të deputetit Fatmir Xhindi nuk zbardhën asgjë më shumë se sa mënyrën e jetesës së deputetit, që prirej të mos kishte konflikte me askënd. Ndërkohë, konfirmohet se emri i Fatmir Xhindit nuk do të ishte më në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit, duke zbehur edhe dyshimet për një krim që mund të lidhej me zgjedhjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›