E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëputet shkëmbi, vdesin dy punëtorë

Dy punëtorë kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa punonin për nxjerrjen e pllakave të mermerit në fshatin Novaj të Poliçanit. Shkëputja e një masivi dheu mësohet të ketë zënë poshtë punëtorët, të cilët kanë qenë duke gërmuar për nxjerrjen e gurit dekorativ, ndërsa shumë pranë vendit të ngjarjes kanë qenë disa punëtorë të tjerë, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar pa u lënduar. Lili Tumai, 52 vjeç, dhe Jani Pirko, 46 vjeç, banorë të Urës Vajgurore, kishin nisur punën ashtu si

çdo ditë tjetër për nxjerrjen e mermerit në vendin e quajtur

"Gorica e Parë" në fshatin Novaj, e cila njihet si zona e madhe e nxjerrjes së gurit dekorativ. Por, ndërsa kanë punuar për vetëm një orë, rreth orës 07:30, një masiv dheu mësohet të jetë shkëputur nga pllaja dhe ka zënë poshtë dy punëtorët që ndodheshin shumë afër zonës. Kanë qenë punëtorët e tjerë të cilët u kanë ardhur në ndihmë shokëve të tyre, duke i nxjerrë nga masivi i dheut dhe pllakave të mermerit, por fatkeqësisht pa mundur t‘i shpëtojnë nga vdekja që ka qenë e menjëhershme. Trupat pa jetë të punëtorëve janë transportuan për në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, nga ku janë tërhequr prej familjarëve. Sapo janë sinjalizuar, drejt fshatit të largët Novaj kanë mbërritur me urgjencë ekspertët e Policisë së Beratit që kanë nisur hetimet rreth kësaj ngjarjeje. Paraprakisht ka rezultuar se dy punëtorët punonin prej disa muajsh në firmën e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit dekorativ me pronar Gentian Qaton. Ky i fundit mësohet se është shoqëruar për në polici, ku është marrë në pyetje rreth ngjarjes. Policia deklaroi se po hetohet për aktivitetin e kësaj firme dhe zbatueshmërinë e kushteve teknike në punë. Sapo është mësuar ngjarja e rëndë, qindra punëtorë të tjerë që punojnë për nxjerrjen e mermerit kanë ndërprerë punën menjëherë. Punëtorët e pakët që kanë ngelur në zonë shprehen të rezervuar se puna që ata bëjnë është tejet e vështirë, por është e vetmja mundësi për të mbajtur familjet. Përveçse duhet të përshkruajnë një rrugë tejet të largët dhe të vështirë, ata përballen dhe me rrezikun që vjen nga veçoritë e procesit të punës. Moszbatimi i rregullave bën që herë pas here nga gërmimi për nxjerrjen e gurit të shkaktohen rrëshqitje të masiveve të mëdha të dherave dhe shkëmbinjve të mermerit. Ndër vite, disa punëtorë kanë humbur jetën gjatë punës për nxjerrjen e gurit, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë për drejtuesit e firmave, të cilët kontraktojnë punëtorë të cilëve nuk u sigurojnë jetën.

Myftar Koroni, një nga punëtorët e nxjerrjes së gurit, ndonëse ka dalë në pension, na tregon se është i detyruar të punojë për të mbajtur familjen. Ai udhëton nga qyteti i Poliçanit duke përshkruar kilometra të tëra rrugë në një terren të thyer për të mbërritur deri në vendin e tij të punës. Gjatë gjithë ditës, ai është i detyruar të stërmundohet, duke nxjerrë pllaka guri, punë e cila i siguron atij rreth 1500 deri në 2000 mijë lekë me të cilat mban familjen prej pesë anëtarësh. Por, 65-vjecari është vetëm një prej qindra punëtorëve që punojnë në këtë zonë. Koroni pohon se kushtet në të cilat punojnë janë të vështira. "Punojmë dimër dhe verë, në të ftohtë e të nxehtë për të mbajtur familjen me bukë. Para një viti, në këto pllaka, humbi jetën një tjetër punëtor, Hasan Qamo. Ky kantier guri, çdo ditë rrezikon të marrë jetë njerëzish", pohon ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›