E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecja e marrëdhënieve diplomatike Shkup-Prishtinë

Prishtinë - Maqedonia planifikon që pas zgjedhjeve të vendosë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, duke prolonguar edhe më tej këtë çështje. Lajmi bëhet i ditur nga burime të autoriteteve kosovare në Prishtinë për agjencinë e lajmeve “INA”, të cilat bazohen edhe në burime brenda autoriteteve të Shkupit.

“Informacionet tona që kemi janë se pas zgjedhjeve të marsit që janë në Maqedoni do të vendosen edhe marrëdhëniet midis dy vendeve, sepse atje tashmë vendi po hyn në zgjedhje dhe mund të prolongohet kjo çështje”, ka theksuar për agjencinë INA, një zyrtar i lartë i autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë sërish nuk ka përcaktuar një datë për vendosjen e marrëdhënieve brenda këtij muaji apo gjatë muajve të ardhshëm.

Zyrtar të zyrës për informim të MPJ-së deklaruan për agjencinë “INA” se marrëdhëniet diplomatike do të vendosen atëherë kur të vlerësohet momenti i përshtatshëm nga të dyja palët.

“Marrëdhëniet diplomatike me Kosovën do të vendosen atëherë kur dy vendet do të vlerësojnë momentin më të përshtatshëm për të kryer këtë çështje. Por njëkohësisht do të bëhet kjo edhe kur të kryhen të gjitha përgaditjet teknike dhe protokollare midis dy ministrive të jashtme”, kanë theksuar për agjencinë e lajmeve INA nga zyra për informim e MPJ në Shkup.

Të pyetur se prolongimi i mosvendosjes së marrëdhënieve a bëhet për shkak të ruajtjes së raporteve me Serbinë, nga zyra për informim theksojnë se nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë.

“Politika e jashtme e Maqedonisë bazohet në marrëdhënie të mira miqësore me të gjitha vendet fqinje, si Kosovën, poashtu edhe Serbinë”, theksohet në deklarimin e MPJ-së. Maqedonia më 9 tetor të vitit të kaluar ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke paralajmëruar edhe vendosjen e shpejt të marrëdhënieve diplomatike. Njohja u votua edhe nga Parlamenti i Maqedonisë me një konsensus të të gjitha subjekteve politike. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›