E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngerci i borxhit Obama Republikanet pergjegjes

Presidenti amerikan Barak Obama dhe republikani Xhon Boehner fajësojnë njëri- tjetrin për bllokimin e marrëveshjes mbi krizën e borxhit federal, pesë ditë para skadimit të afatit e falimentimit të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Barak Obama u shpreh se dështimi për të rritur tavanin e borxhit do të shkaktojë dëme të mëdha për ekonominë amerikane.

"U kam thënë liderëve të të dyja partive se duhet të  gjejne një kompromis të drejtë gjatë  ditëve në vijim, të tillë që të mund të miratohet nga kongresi. Jam i bindur që mund ta arrijmë një kompromis të tillë. Pavarësisht nga ndasitë me liderët republikanë dhe në të kaluarën e kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe besoj se të dyja palët dhe kësaj here do të lenë mënjanë politikën për hir të progresit"- tha Obama.

Presidenti amerikan iu drejtua vendit mbrëmë, disa orë pasi udhëheqësit demokratë dhe republikanë në kongres shfaqën plane rivale për të shkurtuar shpenzimet dhe rritur tavanin e borxheve për të menjanuar falimentimin.
Presidenti kritikoi republikanët konservatorë që kërkojnë zgjidhjen e krizës së borxheve vetëm përmes shkurtimit të shpenzimeve pa kërkuar nga korporatat dhe amerikanët e pasur të kontribuojnë përmes ndryshimeve të rregullave të taksimit.

Presidenti hodhi poshtë një plan të njoftuar të henën nga kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner. Plani i këtij të fundit do të rriste menjëherë kufirin e huamarrjes me 1 trilion dollarë dhe shkurtonte shpenzimet me 1 trilion dollarë. Për Obamën  kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Ndërsa  Boehner u përgjigj duke akuzuar presidentin e kërkojnë një "çek të bardhë".

" Ky debat nuk ka të bëjë me presidentin Obama dhe përfaqësuesit republikanë . Kjo nuk ka të bëjë me  Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë. Kjo është për popullin  amerikan dhe të ardhmen që ne kërkojmë për veten dhe familjet tona. Unë gjithmonë kam besuar sa më e madhe është qeveria aq më i vogël është populli. Dhe tani ne kemi një qeveri kaq të madhe dhe me kaq shpenzime sa po e shtrydh popullin tonë dhe po frenon ekonominë. Dalja nga kjo krizë nuk është e komplikuar.  Nëse shpenzojmë më shumë para se sa marrim  duhet të shpenzojmë më pak. Nuk ka asnjë simptomë më kërcënuese se borxhi për qeverinë tonë"- tha Boehner.

Javë të tëra negociatash të dështuara ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit e kanë lënë vendin të përballet me atë që presidenti e quajti një ngërç të rrezikshëm. Ai tha se falimentimi do të jetë një përfundim i papërgjegjshëm dhe i pamatur.

Vota për të rritur kufirin e borxhit të SHBA kanë qenë historikisht një çështje rutinë në Kongresin e SHBA, por këtë vit, republikanët kanë refuzuar të bien dakord për një rritje të borxhit pa ulje të konsiderueshme të deficitit buxhetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›