E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojne NATO e BE. Negociata per terheqjen nga veriu

Një zëdhënës i NATO-s në Kosovë tha se aleanca ushtarake po përpiqet që të negociojë fundin e lëvizjes së befasishme në njësive speciale të policisë për të marrë kontrollin në dy pikat kufitare me Serbinë.  Zëdhënësi, Ralf Adametz i ka thënë agjencisë Associate Press, se "aleanca është duke negociuar ngrirjen e aksionit të qeverisë" për të marrë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në veri të Kosovës.  

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic dhe kryeministri serb, Mirko Cvetkovic kanë kontaktuar menjëherë Komisionin Evropian, OKB-në, NATO-n dhe institucionet tjera ndërkombëtare, pas  ndërhyrjes  të Policisë së Kosovës në veri për të marrë kontrollin në pikat kufitare me Serbinë.

Në një reagim të shpejtë mëngjesin e sotëm  Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është dakort  me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit. 

"Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.
Azhornuar së fundi ( e martë , 26 korrik 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›