Ngërçi me ndarjen e tokës në Livadhja, mbeten djerrë sipërfaqet e mbjella
Sarandë- 100 banorët e fshatit Kodër në Livadhja të Sarandës nuk e shfrytëzojnë dot tokën pasi nuk kanë ende certifikata pronësie për to.
Që prej vitit 1994 ata thonë se toka është ndarë tri herë nga tri komisione të ndryshme të cilat kanë ndryshuar objektet e pronësisë.
Kështu vetëm në zërin ullinj sipas ligjit të vitit 1991 për 600 banorë të këtij fshati janë ndarë vetëm 5400 rrënjë ullinj nga rreth 15 -17 mijë rrënjë në pronësi të fshatit, pjesa e mbetur nuk është e dokumentuar askund se kujt i takon.
Nga mosndarja e drejtë e tokës për një kohë shumë të gjatë ka dëmtuar sipërfaqen e mbjellë me ullinj dhe pemë frutorë, ku një pjesë e tyre janë djegur apo prerë për dru zjarri.
Banorët akuzojnë drejtuesit e fshatit dhe autoritetet shtetërore për zvarritjen e çështjes së tyre. Ndërsa nga ana tjetër, Komuna nuk mban përgjegjësi por bën fajtorë vetë komisionet e ndarjes së tokës dhe banorët për këtë ngërç.
Banorët shprehen se i janë drejtuar kryeministrit dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të monitorojnë situatën.
Ata shprehen se do të refuzojnë tapitë që po hartohen siç i quajnë ata, abuzive, nga komisioni i fundit i ngritur në vitin 2012 ndërsa kërkojnë ekspertë të ndarjes së tokës për të verifikuar këtë problem.