Braho: Rama po sillet si një adoleshent
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se nuk ka marrë ende një përgjigje nga selia rozë për çështjen e Kodit të ri Zgjedhor. Anëtari i Kryesisë, njëkohësisht deputet, Spartak Braho, akuzoi për këtë liderin e opozitës, Edi Rama. Sipas tij, "ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent". Këtë argument Braho e mbështeti me pretendimin se Rama nuk u ka dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithëpërfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre. "Ndërkohë që Berisha, me prononcimin e tij të djeshëm, përpiqet të heqë përgjegjësinë para ndërkombëtarëve, duke ia lënë faturën Ramës, por ai harron se kjo faturë është edhe pjesë e përgjegjësive të tij", u shpreh Braho. Kryeministri, shtoi ai, përgjigjet për standardet e zgjedhjeve, për realizimin e këtyre standardeve dhe tërë procesin zgjedhor, që të jetë gjithëpërfshirës. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i nisi vetëm pak ditë më parë një letër publike, drejtuesit të socialistëve, duke i kërkuar një takim për Kodin Zgjedhor. Rama deklaroi publikisht se ishte gati të takohej me Metën, por Kodi ishte një çështje e mbyllur. Pas kësaj, kryetari i grupit parlamentar "E majta për Integrim", Pëllumb Xhufi, i nisi një letër kryeparlamentares Jozefina Topalli ku i kërkoi të rishikohej Kodi. Ndonëse përgjigjja e Topallit ka munguar, bllokimi i Kodit ka shtuar shpresat e LSI-së për një ndërhyrje të mundshme.