E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjalat “pushtojnë” Vlorën, fenomeni habit peshkatarët

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Turma me ngjala “zbarkojnë” në gjolin e Nartës, duke mbushur përplot jo vetëm restorantet e kuzhinat vlonjate, por edhe tregtarët e rretheve të tjera. Sipas peshkatarëve, ky është një fenomen që ndodh shumë rrallë, afërsisht një herë në 12 vjet dhe ata kanë nxituar të përfitojnë.
Mesatarisht 4-5 kuintalë ranë në rrjetën e çdo peshkatari gjatë dy ditëve të fundit. Edhe dje, gjoli i Nartës si dhe portat që komunikojnë më detin, ajo e Dajlanit dhe e Portanovës u tejmbushën nga ngjalat. Peshkatarët kanë arritur të fitojnë për dy ditë aq sa kishin fituar për 6 muaj. Në një ditë të zakonshme ata kapin jo më shumë se 10 kilogramë, ndërsa vetëm për dy ditë, peshkuan rreth 10 kuintalë. Tregtarë të ndryshëm, jo vetëm nga Vlora, por dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, shkuan me mjetet e tyre për të blerë ngjala me shumicë. Çmimi i tyre është ulur ndjeshëm, deri në 500 lekë kilogrami, ndërkohë që më parë me pakicë një kilogram kushtonte nga 700 deri në 1000 lekë kilogrami. Edhe familjet vlonjate e kanë shijuar fenomenin, duke shtruar në tavolinat e tyre një menu të pasur me ngjala. Jo të paktë ishin qytetarët që preferonin të bënin vetë rolin e një peshkatari amator. Ata mbushën trastat dhe i shijuan në kuzhinat shtëpiake. Peshkatari Panajot Stefa nga Narta thotë se ka kapur për një ditë rreth 5 kuintalë. “Sasi kaq të madhe ngjalash në gjol ka pasur rreth 12 vite më parë. Ky fenomen ndodh me përkeqësimin e kohës. Ngjalat dalin nga balta dhe llumrat për t’u larguar në vende të ftohta, deri në Kanada për të nxjerrë dhe shumuar vezët. Pasi shumohen kthehen në vendet e ngrohta, në laguna nëpërmjet detit”, u shpreh peshkatari. Ai ishte shumë i kënaqur me punën e këtyre dy ditëve. “Prej vitesh s’kemi parë kaq shumë ngjala. Kur ka prodhim, edhe ne ndihemi mirë. Fituam prej tyre aq sa nuk kishim arritur për më se 6 muaj”, shtoi më tej peshkatari Stefa. Kolegë të tjerë të tij, teksa shkarkojnë rrjetat e mbushura përplot me ngjala të mëdha, pohojnë se mbajnë mend një fenomen të tillë para më shumë se një dekade. “Atëherë për 24 orë u kapën 300 kuintalë ngjala. E njëjta gjë po ndodh edhe tani” thanë ata. Sipas peshkatarëve, sasi të konsiderueshme të ngjalave do të kapen edhe tre ditët e ardhshme në portat e Dajlanit dhe të Portanovës, sepse ato në mënyrë masive tentojnë të largohen për në zonat veriore, kryesisht në Kanada për të shumuar vezët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›